Nga Leonard Veizi

Helikopteri MI-4 koduar me shifrën “650” ishte ngritur në ajër me urgjencë pas alarmit se diku në Qafën e Llogorasë, një autobus me studentë kishte përfunduar në humnerë. Dy pilotët dhe tekniku, së bashku me një ekip mjekësh e ndihmësmjekësh, të gatshëm për të kryer një mision humanitar në shpëtim të jetëve të tyre, u nisën rrëmbimthi nga pista e regjimentit të Farkës edhe pse parametrat e kohës nuk tregonin asgjë optimale. E ndërsa bazamenti prej betoni zvogëlohej rrufeshëm, secili prej tyre mendonte se vetëm disa orë më vonë, kur gjithçka do të përfundonte, helikopteri me flatrat e mëdha do të ulej përsëri aty, dhe ata do të mund të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre me gjysmën e shpirtit të lehtësuar, se në fund të fundit kishin shpëtuar disa jetë njerëzore. Koha ishte e keqe binte shi dhe vetëtimat shkarkonin masa elektrike në ajër. Sinan Çela, Komandanti i Regjimentit udhëhiqte operacionin nga kulla e komandimit deri në çastin kur lidhja u shkëput. Pas kësaj heshtja ishte e plotë. Duhet të ketë qenë ora 17:55 minuta kur helikopteri i parë ra në shpatin e Karaburunit. Vetëm gjashtë apo shtatë minuta më pas diku në Vunoi helikopteri i dytë do të rrëzohej gjithashtu tragjikisht. Në regjimentin 4040 dhe në gjithë zonën e Farkës lajmi do të përhapej me shpejtësi. Por ai do të duronte për 12 orë me radhë derisa të bëhej i njohur dhe për bashkëshorten e një prej teknikëve të bordit, familja e të cilit jetonte diku të vendi i quajtur “Xhamlliku” në Tiranë. Njëzetenëntë vite më pas, Flora Haka, bashkëshortja e Enver Hakës, risjell nëpërmjet rrëfimit të saj edhe një herë atë situatë tragjike në të cilën u përfshi jo vetëm familja e saj:

Si e kujtoni përballjen e parë me ato mjete fluturues, që më pas do të emërtoheshin thjeshtë “Helikopterët e Farkës”?

Në vitin 1967 në Farkë në fushën që dikur shërbente për shkollën “8 vjeçare”, u ulën tre helikopterët e parë. Ishim fëmijë dhe me kureshtjen tonë u afruam të shihnim. Ushtarakët që ishin rrotull na bënë me shenjë të largoheshim. U larguam pak, por sytë na mbetën aty. Më pas erdhën dhe banorë të tjerë, të cilët ngrinin supet. Kjo ishte përballja e parë dhe nuk e mora me mend se e gjithë historia e jetës sime do të lidhej me këta helikopterë. Atëherë unë isha në klasë të pestë. Sa herë që kishte fluturim ne shihnim që e gjithë fusha ndriçohej dhe gjumi na zinte me zhurmën e helikopterëve.

Si do të ishte jeta juaj e përbashkët me ushtarakët e një regjimenti ajror?

Vitet kaluan. Vazhdoja shkollën e mesme “Pedagogjike” në Tiranë. Për të shkuar në shkollë, rrugën e bënim në këmbë. Herë- herë ndalonim makinat e regjimentit dhe na merrnin. Ndërsa pas mbarimit të shkollës punova si mësuese po në Farkë. Me repartin që kishim aty pranë krijuam lidhje të forta sepse organizonim shpesh veprimtarive kulturore artistike. Disa prej aviatorëve si; Raqi, Shuaipi, Ligori e do të veçoja Agronin, vinin shpesh në shtëpinë tonë, pasi u pëlqente të gjuante me vëllanë dhe babain tim. Jo vetëm për familjen time, por për të gjithë fshatin aviatorët ishin bërë si bijtë e tyre.

                                            Enver Haka – Dëshmor i Atdheut

Ju do ta lidhnit jetën me një prej oficerëve të këtij reparti. Si ndodhi?

Vëllai im kreu ushtrinë në repartin e helikopterëve. Më pas ai punoi aty si mekanik, kështu që u njoh me Enver Hakën, ish -bashkëshortin tim. Ata ishin shokë. Një ditë papritur unë i takoj bashkë. Enveri ishte nga Petrela. Edhe ai, si unë, ishte rritur me zhurmën e helikopterëve. Por ëndrra e tij ishte më e madhe, pasi u lidh përjetësisht me atë zhurmë që e ishte dëgjuar që kur ishte fëmijë.

Si do të rridhte jeta juaj e mëpasme?

U martuam në vitin 1981. Në fillim banuam në Farkë, në shtëpinë e vjetër të prindërve të mi, pasi të renë e bëmë në Lundër. Në vitin 1982 lindi Ervini. Deri në vitin 1985 jetuam në Farkë. Nuk do ta harroj kurrë çastin e gëzuar të tij kur ai erdhi me autorizimin e shtëpisë së re që do të merrnim në Tiranë. Kishim kohë që po e prisnim këtë çast. Në vitin 1988 lindi Ardiani, djali i dytë. I kalova këto vite me vështirësi, pasi shëndeti i tyre në çerdhe nuk shkonte mirë. Më duhet të bëja dhe rrugë të largët, pasi vazhdoja të punoja në Farkë dhe në Sauk, t’i përballoja vetëm shqetësimet e familjes, pasi bashkëshorti ishte në të shumtën e rasteve me shërbim.

Si e kujtoni ditën e 22 nëntorit të vitit 1989?

Ishte një ditë e ankthshme e me një parandjenjë jo të mirë. Ndwrsa nata e 22 nëntorit do mbetet e paharruar për mua, pasi unë nuk e kisha marrë vesh se helikopteri ku Enveri shërbente ishte rrëzuar dhe ai kishte humbur jetën. Koha ishte e vrenjtur e me shi, e vetëtima, sikur zemra më ndjeu diçka. Një fqinja ime erdhi të rrinte pak me mua dhe unë nuk e di se pse e mbaja duke i thënë: “Qëndro dhe pak, qëndro dhe pak…”. Ishte një makth.

             Lapidari përkujtimor në Llogora

Gjatë natës ishit e vetme në shtëpi…?

Bashkë me dy fëmijët, njërin shtatë dhe tjetri pak më shumë se një vjeç. Në fakt një javë më parë Enveri kishte qenë me shërbim… Dhe sa herë që kishte shërbim ai nuk më linte vetëm, por njoftonte motrën time, pasi kishte merakun të mos qëndroja vetëm e të mos mërzitesha. Herën e fundit nuk e njoftoi. Kështu që kur erdhi nga shërbimi unë i thashë: “Pse më le vetëm këtë radhë”. Ndërsa ai m’u përgjigj: “Ke dy djemtë tani dhe nuk je vetëm”. Dhe kjo fjalë më ka mbetur thellë në mendje, sikur të ishin fjalët e amanetit të tij.

Si do ta merrnit vesh lajmin…?

Në mëngjes herët, në orën 06:00 trokiti dera. U çova e përgjumur pasi djali i vogël më qante shumë natën dhe në mëngjes gjumi më kishte mundur. Teksa vrapova të hap derën dëgjova zërin e fqinjës time të thoshte: “Hape derën”. E hapa dhe ajo më tha: “Vishu shpejt, sepse do të ikim në spital. Enveri është shumë sëmurë”. U trondita thellë aq sa dhe rrobat i vesha mbrapsht. Por s’pata shumë kohë. Në apartamentin tonë hynë dhe disa ushtarakë nga të regjimentit dhe u ulën nëpër karrige. U ula dhe unë dhe po i vështroja, duke u lutur që të çoheshim shpejt e të iknim në spital. Por një nga shokët e tij tha: “Enveri ka qenë trim”. U çudita, sepse folja ishte e pavend. Jo “ka qenë”, por “është”, ndërhyra unë gjithë ankth unë. Në atë çast fqinja më tërhoqi në dhomën tjetër ku flinin dy fëmijët dhe më tha; “Bëhu e fortë. Enveri të la”.

Mund t’i riprodhoni emocionet tuaja të atij çasti…?

Është njësoj sikur të më ketë ndodhur tani. Ato ishin fjalë shumë e rëndë, për secilin që e ka provuar. Britma ime zgjoi Ardianin e vogël, i cili filloi të qante me ngashërema, ndërsa Ervini 7- vjeçar erdhi më pushtoi e nuk më lëshonte. Ishte një skenë mjaft e dhimbshme. Shtrëngoja në krahë dy fëmijët e mi, ndërsa më dukej sikur bota të ishte përmbysur para meje. Pak më vonë mblodha forcat e mia, si për të bërë premtimin para bashkëshortit tim që nuk jetonte më, e t’u dilja përpara shokëve që rrinin e prisnin në ankth, në dhomën e ndenjes. Në apartamentin tonë që nga ai çast veç hynin e dilnin njerëz.

Si do të zhvillohej ceremonia e varrimit për këta dëshmorë të ajrit?

Di të them se vetëm se, arkivoli me trupin e bashkëshortit vetëm një gjysmë ore qëndroi në shtëpinë tonë. Dhe për aq kohë sa ndenji, nuk më lanë ta shihja e t’i jepja lamtumirën e fundit. Arkivolet nuk mund të hapeshin. Trupat ishin krejt të karbonizuar. Ndërkohë shteti ishte vënë në lëvizje. U bënë të gjitha ceremonitë që u takonin si ushtarakë të rënë në krye të detyrës. Ata u përcollën njëkohësisht nga Shtëpia Qendrore e Ushtrisë.

                       Lapidari në Llogora

Jeta tjetër

Ndihma e ministrave të mbrojtjes

“Pas humbjes së bashkëshortit nisa një jetë në një rrjedhë tjetër. Me shumë mundime i kam rritur fëmijët, sepse koha kur ata ranë ishte në prag të tranzicionit. Vështirësitë ekonomike nuk ishin vetëm për familjen time, por për të gjithë shqiptarët e atyre viteve. Por ishte fat për mua që të filloja të punoja si mësuese në kolegjin turk “Turgut Ozal”, pasi gjatë këtyre viteve unë gjeta ngrohtësi dhe mbështetje për të larguar brengat dhe hallet e mia, pasi aty m’u dha mundësi të vizitoj edhe fëmijët e mi, që studionin në Turqi. Megjithatë ata nuk janë harruar. Vepra e tyre u vlerësua nga të gjitha pushtetet e kohës. Janë organizuar ditë përkujtimore të rënies së tyre dhe unë kam marrë pjesë në çdo në çdo veprimtari që është organizuar për ta, madje, dhe në shtëpi kam pritur me shumë mirënjohje vizitat që më janë bërë. Do të veçoja vizitën e presidentit Alfred Moisiu, të ish-komandanti i Forcave Ajrore, gjeneralmajor Perlat Sula, të gjeneralbrigade Astrit Jaupi, si dhe funksionarë të tjerë të shtetit e shokë të regjimentit. Nuk mund të lë pa përmendur dhe gjej rastin t’i përshëndes jo vetëm në emrin tim personal, por edhe në emrin e të gjithë bashkëshorteve të tjera, të aviatorëve të rënë në Qafën e Llogarasë, për gjithçka që kanë bërë për ne. Ministria e Mbrojtjes për mua ka qenë shtëpia ime, pasi aty më janë hapur dyert për shkollimin e fëmijëve të mi. Dua të falënderoj thellë nga zemra dhe t’i shpreh mirënjohjen ish-ministrave të Mbrojtjes të ndjerin Safet Zhulalin, Sabit Brokaj, Perikli Teta, Pandeli Majko dhe Gazment Oketa, të cilët më kanë ndihmuar në këtë drejtim”, rrëfen Flora Haka.

 

                                           Enver Haka 

***

Aksioni humanitar që përfundoi me 23 të vdekur

Njihet si “Tragjedia e Llogorasë”, por në fakt autobusi me 14 studentë e 3 pedagogë të Institutit Bujqësor, si dhe një ushtar si pasagjer, është rrëzuar në të dalë të Himarës duke shkuar për në Kollos. Pikërisht aty ku është një tatëpjetë e fortë, shoferi ka nxjerrë autobusin tij “Shkodra” në afolio, e pas kësaj nuk ka mundur të fusë dot marrshin. Janë “regjistruar” vetëm fjalët e fundit të tij duke bërtitur: “U morëm në qafë”. Automjeti ka marrë tatëpjetën dhe shoferi nuk e ka pasur më nën kontroll. Autobusi rrëshqiti në humnerë në një lartësi prej gati 70 metrash. Shoferi i autobusit Ali Omuri dhe një student, Albert Smoka, humbën jetën në vend, ndërsa shumë të tjerë morën plagë të rënda mes tyre dhe pedagogu Milto Shumeli. Për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve rëndë, nga Tirana u dërguan dy helikopterë: MI-4 644 i drejtuar nga komandanti Vangjel Postoli, piloti Tafil Agaj dhe teknik Pandeli Xhumba, dhe MI-4 650 i drejtuar nga komandanti Agron Galanxhi, piloti Veledin Resuli dhe teknik Enver Haka. Në bordin e tyre kishin edhe ekipin e mjekëve të spitalit nr. 2 në Tiranë, të përbërë nga Agim Qarri, Kujtim Hysi, Dionis Makuçi, Zana Floqi si dhe ndihmësmjekja Dhurata Leka. Atë natë në vendngjarje mbërritën ministri i brendshëm Hekuran Isai që shoqërohej nga sekretari i parë i rrethit të Vlorës Enver Halili. Por gjithashtu shkoi dhe Haxhi Aliko, rektori i Institutit të Lartë Bujqësor. Helikopterët u nisën drejt Llogorasë dhe pas 50 minutave fluturim u ulën në fushën e Himarës për të marrë studentët e plagosur dhe për t’i sjellë në Tiranë. Në Farkë prisnin katër ambulanca për të marrë të plagosurit. Në kthim, në një prej helikopterëve hipën mjeku Nafail Metollari dhe ndihmësmjeku Piro Kuko të spitalit të Himarës. Por tragjedia u thellua edhe më tej. Për shkak të motit shumë të keq, dy helikopterët u përplasën me shpatet e maleve, ndërsa pilotët mjekët, pedagogët e studentet, humbën jetën para se të mbërrinin në spital. Ekuipazhet e përbëra nga; Vangjel Pistoli, Agron Galanxhi, Tafil Agai, Veledin Resuli, Pandeli Zhupa dhe Enver Haka, e bashkë me ta edhe mjekët e infermierët që ishin nisur nga Tirana për të shpëtuar jetën e studentëve, nuk u kthyen më. Por në bordet e dy helikopterëve ishin gjithashtu 9 studentë e dy pedagogë Milto Shumeli dhe Thoma Plasa. Ushtarakët e Regjimentit të Farkës që ranë në këtë aksident ajror u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” dhe prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

    Pjesë të mbetura nga një prej helikopterëve

Viktimat e një aksidenti tragjik – Llogara 22 nëntor 1989

Viktimat e autobusit

1-Ali Omuri, shoferi i autobusit

2-Albert Smoka, student

Viktimat e helikopterit të parë

1-Vangjel Postoli, komandant

2-Tafil Agaj, pilot

3-Pandeli Xhumba, mekanik

4-Misto Shumeli, i plagosur

5-Elida Hyseni, e plagosur

6-Donika Ferra, e plagosur

7-Zef Sula, i plagosur

8-Kujtim Hysi, mjek

9-Zana Floqi, mjeke

10-Dhurata Leka, ndihmësmjeke

11-Nafail Metollari, mjek në Himarë

12-Piro Kuko, ndihmësmjek në Himarë.

Viktimat e helikopterit të dytë

1-Agron Galanxhi, komandant

2-Veledin Resuli, pilot

3-Enver Haka, mekanik

4-Thoma Plasa, i plagosur

5-Ilirjana Brahimi, e plagosur

6-Taip Llaçi, i plagosur

7-Xhelal Ndreu, i plagosur

8-Agim Qarri, mjek

9-Dionis Makoçi, mjek

Helikopteret e regjimentit Farkë

Dëshmorët e tragjedisë së Llogorasë

Agron Hasaf Galanxhi 
Lindi me 11 janar të vitit 1939 në Gjirokastër. Studioi për pilot në ish-BRSS. Gjatë karrierës ushtarake kreu detyra të ndryshme deri zëvendëskomandant skuadrilje. Ishte pilot i Klasit të Dytë. Ra në krye të detyrës në katastrofën ajrore të 22 nëntorit 1989 në rajonin e Himarës. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04. 1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.

Enver Osman Haka
Lindi në 14 prill të vitit 1956 në Petrelë të Tiranës. Mbaroi Akademinë e Forcave Ajrore për teknik aviacioni dhe ka kryer detyrën e teknikut-fluturues në Regjimentin e Farkës me helikopterët MI-4. Ra në krye të detyrës në katastrofën ajrore të 22 nëntorit 1989 në rajonin e Himarës. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.

Pandeli Jorgo Zhupa
Lindi me 15 shtator të vitit 1946 në Jergucat të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore dhe ka kryer detyrën e teknikut-fluturues me helikopterin MI-4. Ra në krye të detyrës me 22.11.1989, së bashku me pilotët dhe teknikët e tjerë që shkuan në ndihmë të studentëve e pedagogëve të aksidentuar. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Tafil Njazi Agai
Lindi me 10 janar të vitit 1950 në Gjuzë të Tepelenës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot dhe ka kryer detyra të ndryshme deri komisar skuadrilje. Ra në krye të detyrës me 22.11.1989, së bashku me pilotët dhe teknikët e tjerë që shkuan në ndihmë të studentëve e pedagogëve të Institutit të Lartë Bujqësor. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Vangjel Vangjel Postoli
Lindi me 19 mars të vitit 1940 në Berat. Ka mbaruar studimet në ish-BRSS për pilot dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Kreu detyra të ndryshme deri në atë të Zëvendëskomandantit të Regjimentit. Ishte pilot i Klasit të Dytë me helikopter. Ra në krye të detyrës me 22.11.1989 së bashku me pilotët e teknikët e tjerë që shkuan në ndihmë të studentëve e pedagogëve të Institutit të Lartë Bujqësor. e vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Veledin Delo Resuli
Lindi me 26 nëntor 1950 në Vlorë. Mbaroi Akademinë e Forcave Ajrore në Vlorë për pilot dhe kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit me helikopter. Ra në krye të detyrës me 22.11.1989, së bashku me pilotët dhe teknikët e tjerë që shkuan në ndihmë të studentëve e pedagogëve të Institutit të Lartë Bujqësor. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.