Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot hetim të plotë për çështjen e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Balla tha se “po ashtu duhet të zbardhet edhe se kush ishte personi që transportoi paratë nga Shqipëria në Skoci”.

Ai solli në vëmendje deklaratën e djeshme të Arben Ristanit, ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, i cili u shpreh se “kemi një kontratë zyrtare të firmosur nga kryetari i partisë dhe një lobist amerikan, Muzin”.

“…Është një marrëdhënie që Kryetari në emër të PD-së ka lidhur një marrëveshje me lobuesin, unë nuk kam qenë në dijeni”, deklaroi dje Ristani.

Balla tha se “më qartë se kaq nuk ka, e thotë vetë PD”. Sipas tij, “Ristani është sa bashkëpunëtor aq edhe dëshmitar”.

“I pandehuri: Lulzim Basha i biri i Xhelal dhe i Remzije i datëlindjes 12.06.1974, lindur dhe banues në Tiranë, Pallati afër ish-Hotel Sheraton, me gjendje civile i martuar, me shtetësi shqiptare, me gjendje gjyqësore i pandehur, hetuar pa masë sigurimi. Akuzuar se ka kryer veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga nenet 190/3 dhe 287-ç/2 të Kodit Penal”, tha Balla.