Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, deklaroi sot në mbrëmje se presidenti Macron kërkon kohë për një reflektim në BE deri sa BE të jetë e gatshme për të marrë një vendim.

Gjatë një interviste televizive, Cakaj tha se “Po” e Gjermanisë është e ndërtuar mbi dy parime.” Nxitja e reformave në Shqipëri, përkatësisht dhe stimulimi i dialogut politik. Parimi i dytë i strategjisë ka qenë sepse midis vendeve që kundërshtojnë zgjerimin dhe atyre që janë pro për të filluar me procesin, ka qenë një rrugë e ndërmjetme për të siguruar një konsensus në Këshill. Sa i përket Francës, besoj që e vërteta e qëndrimit francez është shteruar në komunikimin publik të presidentit Macron”, – thotë Cakaj.

“Për plotësimin e kushteve e ka konfirmuar Komisioni Europian në maj të vitit 2019. Edhe Macron, në konferencën e tij tha se ka ndodhur progres, por jemi në një debat për prioritetet e BE. Disa vende anëtare, duke mos qenë të fuqishme për të bllokuar procesin e zgjerimit, për shkak se zgjerimi është dhe investim strategjik, të pafuqishme për të bllokuar procesin, e shtyjnë atë në vazhdimësi dhe vendosin data”, – u shpreh ministri Cakaj.

“Sot negociatat nuk po hapen jo pse kushtet nuk janë plotësuar, por sepse BE po definon prioritetet. Kjo është esenciale të sqarohet. Ju thatë se janë shtuar kushtet. Shumica e kushteve që janë shtuar në axhendën e Bundestagut janë zgjatime të arsyeshme të kushteve që kanë qenë vitin e kaluar. Në propozimin e Francës për metodologjinë e re në procesin e negocimit, parimi thelbësor për të siguruar një proces efektiv që është paraqitur rishtazi, është mekanizmi i suspendimit të negociatave, ky është një mekanizëm për të mbajtur shtetet në suspancë”, tha Cakaj.