Nga Elda Shabani

“ Kur Pitris janë të kënaqur me Sraddhas-Gosti, ata urojnë jetë të gjatë, mençuri, pasuri, lumturi ” Markendeya Purana, XXXII, 38 nga besimi Hindu

Halloween, është sezoni kur fantazmat dhe shpirtrat dalin dhe i bashkohen botës sonë, botës të së gjallëve. Nata e 31-të të muajit Tetor është i mbushur me një kënaqësi të frikshme e ndërsa fëmijët shkojnë derë më derë me kostumet e personazheve të tyre të preferuar, duke na ofruar një çast frike teksa i sheh të maskuar kokë e këmbë me maska si dhe zërit insistues të tyre të cilët kërkojnë fruta, karamele, ëmbëlsira, madje edhe monedha për shpirtrat e trazuar që nuk jetojnë më..Dhe kjo e ka një arsye të thjeshtë, Halloween është argëtues, është i padëmshëm dhe festohet nga të rinjtë dhe të moshuarit!

Vetë Halloween ka rrënjët në kulturën evropiane e më pas u përhap në shumë vende të tjera të botës. Eshtë një nga festat që daton qysh në kohërat pagane por natyra evoluese e njeriut, ka ndikuar në formësimin e kësaj feste të veçantë e cila sot është në qendër të shumë studiuesve, veçanërisht të historisë së modës, pasi kostumet e Halloween janë përdorur si instrumente nga njerzit për gjatë shekujve, për të treguar ndryshime politike, sociale kulturore dhe ekonomike.

Por a keni menduar ndonjëherë se si lindi dhe ku filloi gjithçka: Në Irlandë, me Ditën Keltëeve në festivalin e të vdekurëve në Samhain. Keltët përdorën një kalendar hënor dhe e ndanë vitin në dy sezone; Dimri si stina e vdekur filloi në Samhain( e cila përkthehet “fundi i verës”), dhe përkon në ditën më të afërt me Hënën e plotë, 1 Nëntor në mbarimin e periudhës së korrjes. Samhain shënjoi ditën e parë të Vitit të Ri Kelt, dhe besohej se shpirtrat e atyre që kishin vdekur ishin kaq të shqetësuar në këtë natë sa vetëm një vello e hollë ndante kufirin midis të gjallëve dhe të vdekurve, vitit të Vjetër dhe Vitit të Ri, të Verës e Dimrit. Në Samhain, njerëzit u maskuan me pendë dhe gëzof për të mos u njohur nga shpirtrat që endeshin në tokë atë natë. Kjo traditë e tyre, është ruajtur deri sot dhe festohet në të gjithë Evropën, në veri të Francës, Irlandës, Skocis, Uellsit, dhe rajone të tjera. Edhe sot, në këto zona e veçanërisht në ato rurale, është traditë ndezja e zjarreve në të gjithë vendin. Buka, uji dhe keku me fruta të thata janë ushqimi kryesor. Në kohën kur Keltët u kthyen në të krishterë, Samhain u bashkua dhe u shkri me natën e Të Gjithë Shenjtorëve, nga ku mori edhe emrin, Halloween ( All’ Halloween.) Një festë e cila u përqafua vecanërisht nga vendet me besim të krishterë. Gjatë Epokës Viktoriane në gjysmëen e dytë të shekullit XIX-të Halloween festohej me parada apo ballo me maska shumë ngjyrëshe duke i dhënë një frymë më të adhurueshme dhe elegante. Kostumet u thjeshtuan më shumë në stil.

Në Amerikë, në fund të viteve 1800 Halloween erdhi si rezultat i emigracionit nga evropianët drejt tokës së re . Në Amerikë, nata e Halloween-it mori formën e një nate magjike rreth vitet ’40 me ardhjen e një numri të madh të emigrantëve irlandezë. Ritet antike të Samhain në Ditët e të Gjithë Shenjtorëve ‘dhe të Gjithë Shpirtrave’ ende ishin të gjalla dhe të ruajtura me fanatizëm. Për shembull, simboli i kungullit vjen nga legjenda irlandeze e Stingy Jack , një njeri aq i keq sa që kur vdiq ai u refuzua si nga parajsa ashtu edhe nga ferri, nga Zoti dhe Djalli së bashku. Kështu ai u dënua të bridhte në fshat me një rrepë në formën e një feneri në kokë për t’i bërë dritë errësirës. Më vonë, veshjet të cilat qepeshin në kushte primitive gjithnjë e më shumë u lanë vend kostumeve më të avancuara në punim por edhe në fantazi.


Personazhet e Halloween u bënë një trend në kohën e revolucionit industrial. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, me zhvillimin e teknologjisë, kostumet u bënë më të larmishme, me krijesa folklorike e legjenda si skelete, fantazma, lakuriqnate, Frankenstein, mumje, drakula, kloun, shtriga etj. Të gjitha këto vazhdojnë të jenë trend edhe në fillim të viteve 2000 ku më pas, kostumet me ikonat e Hollivudit, Waltdisney apo edhe personazhe nga politika botërore do të dominonin.

Ndërsa për Francezet, Halloween ka qenë një festë e papranueshme, të pakten deri në vitet ’90 pasi është konsideruar si një festë “Amerikane” dhe ishte pothuajse e panjohur në vend deri në vitin 1996. Por sot Halloween është kthyer një festë argëtuese, komerciale si dhe trend apo modë me kostume provokuese, e për rrjedhojë nuk mund të mos ishte e pranishme për fëmijët në çdo cep të botës. Dhe këtu nuk është fjala vëtëm për Francën konservatore, por edhe për vende të tjera përfshirë edhe vendin tonë, ku vitet e fundit duhet thënë se kemi qënë të zënë mat nga trokitjet e parreshtura të duarve të vogla të fëmijëve të maskuar e të veshur me kostume enkas për këtë natë apo nga të rriturit të cilët festojnë nën atmosferën e muzikës për të demostruar veshjen më të frikshme të halloween-it. Edhe arabët i respektojnë të vdekurit të tyre gjatë natës së Sab-e-Barat. Dhe ky fennomen sot është kthyer në një qëllim. Festë dhe Modë së bashku!

Në netët e Halloween, njerëzit do të vishen si qënie të mbinatyrshme por edhe ato tokësore sikurse i përmendëm më lartë. Një halloween i modës së vjetër, nga Epoka Viktoriane, ose personazhe magjike e argëtuese si OZ (nga magjistari i mrekullueshëm,Oz) Liza në Botën e çudirave, Lolita klasike e shumë Ikona të Hollivudit, do të ishte shumë interesante në këtë ditë/natë paradëshow. Halloween nuk është vetem për ata që duan të jenë serioz deri në frikëe. Kjo festë është gjithashtu për t’u argëtuar dhe veshur diçka qesharake, por pse jo edhe më shumë, të jesh kreativ dhe të përdoresh fantazinë e ngjyrave të Tetorit, të cilat ofrojnë mistikën jo vetëm të veshjeve por edhe esencën e fundit të një sezoni ku “Ç’do të mbjellësh, do të korrësh.” Kështu, ekziston një fije unike uniteti që lidh njerëzit në të gjithë këtë planet, ku të vdekurit kujtohen e nderohen, por vallë a mundemi të kemi një festival multi-kulturor universal ose një Ditë Falje e Paqe midis të gjitha qënieve të gjalla ?