“Rekomandimi ynë është një rekomandim me gjithë zemër për të dyja vendet, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vlerësimi ynë është që të dyja vendet kanë plotësuar kriteret mbi bazën e marrëveshjes të dakordësuar midis nesh dhe këtyre vendeve. Kur them nesh, i referohem të 28 vendeve anëtare me vendim unanim”, deklaroi Komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn në një intervistë për TV Klan.

Ai deklaron se “nuk është thjesht një marrëveshje bilaterale midis Komisionit dhe këtyre dy vendeve. Është një qëndrim solid ndaj pres një reagim pozitiv nga shtete anëtare”.

Hahn tha se qëllimi im është që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’ju hapet drita jeshile, sepse të dyja vendet kanë mbushur kriteret.

“Sigurisht, që në rastin e Maqedonisë, çdo gjë shkëlqen, aq më tepër pas arritjes së marrëveshja e Prespës dhe atë të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Ndërkohë që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, por ato errësohen nga situata aktuale në vend”, deklaroi ai, duke iu referuar krizës aktuale politike.

Në intervistë, komisioneri Hahn u shpreh se “jam gjithnjë optimist dhe mendoj në fuqinë e transformimit të hapjes së negociatave si një nxitje e fortë për vendin”. “ Por duhet të jemi të qartë. Shqipëria ka përmbushur kriteret për të cilat kemi rënë dakord me vendim unanim të 28 shteteve anëtare. Pra, ka një progres të madh kur bëhet fjalë për reformën e drejtësisë. Lidhur me procesin e Vettingut, 60 % e gjyqtarëve që kanë kaluar përmes procesit të rivlerësimit, nuk janë më në sistem. Kjo është një provë e një procesi të shëndoshë dhe procedurave solide”, tha ai.

Hahn shtoi se “gjyqtarët nuk mund të gjenden kaq lehtë, ata duhet të jenë të kualifikuar dhe të kalojnë përmes procesit të rivlerësimit. Por kjo tregon se sa solid është ky process”.

“ Por sigurisht, ne nuk mund të injorojmë situatën në vend që është paraqitur qartë përmes ekraneve të televizioneve. Opozita nuk është më në Parlament dhe ka një mungesë dialogu midis palëve. Kjo është dhe arsyeja pse disa shtete anëtare kanë disa shqetësime, por mundohem që t’ju shpjegoj dhe të jap argumentimin tim, duke thënë që i kuptoj krejtësisht shqetësimet e tyre, por e njoh situatën në terren më mirë se ta. Dhe mendoj, që hapja e negociatave është nxitja më e mirë për të ndryshuar gjerat në vend për të mirë. Ne kemi nevojë për këtë stad integrimi, që të ndihmojmë zhvillimin e mëtejshëm të vendit, jo vetëm sepse qytetarët e Shqipërisë e meritojnë, por edhe se vetë ata e duan”, deklaroi Hahn.