Eurokomisioneri i lartë për Zgjerimin dhe Fqinjësinë i Bashkimit Europian, Johannes Hahn shpreh bindjen se deputetët e të gjitha partive politike në parlamentin e Maqedonisë do t’i linin mënjanë interesat partiake dhe do të votonin në interes të vendit dhe qytetarëve.
“Këto janë ditë vendimtare për Maqedoninë. Deputetët do të votojnë për Marrëveshjen historike të Prespës që i hap dyert e vendit për integrimin euroatlantik. Është votim për ardhmërinë e vendit dhe perspektivat pozitive për qytetarët”, theksoi ai në Twitter.

”Unë jam i bindur se deputetët e të gjitha partive politike janë të vetëdijshëm për mundësinë e madhe dhe përgjegjësinë me të cilën përballen. Tani është koha për t’i lënë mënjanë interesat partiake dhe për të vepruar në interes të vendit dhe popullit!”, porositi Johannes Hahn në vazhdën e debatit përfundimtar në Parlamentin e Maqedonisë dhe votimin për nevojën për ndryshimit të Kushtetutës në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.