Nga Rigels Seliman

Edhe pse prej dekadash Shqipëria insiston që t’i bashkohet familjes së madhe së Bashkimit Europian, dera e këtij të fundit vijon të jetë e mbyllur, ku nuk ka çelës Englez që e hap, pasi është kyçur me ndryn “francezo-danezo-holandez”. Europa plakë vijon të bëjë kryeneçen me Shqipërinë, duke u distancuar nga ajo thuajse çdo vit, me justifikimin se vendi i Ilirëve nuk është gati. Por ky pozicionim i Europës, që me të drejtët e meriton të etiketohet si “Uh Evropë, ti kurva e motit”, sikundër i drejtohej korifeu Gjergj Fishta dekada më parë, është më shumë se hipokrizi.

Megjithatë, mua nuk më shqetëson fare kjo gjë, pasi sa herë që i kemi bërë detyrat e shtëpisë dhe jemi paraqitur në klasë para mësuese BE, kjo e fundit ka nxjerrë justifikime absurde, duke mos pranuar që të martohet me Shqipërinë. E thënë ndryshe, kjo lëvizje e Europës, nuk bën me turp Shqipërinë, por Bashkimin Europian që tregohet besëprerë. Mirëpo, mua më shqetëson fakti që Shqipëria po përballet sot me dy fenomene, sikundër janë grupi “KÇK” dhe stomatologët, ky binom që kërcen tango me krimin e organizuar dhe njollos imazhin e Shqipërisë. Grupi “KÇK” është bekuar me këtë epitet nga kryeministri Edi Rama dhe që përfshinë një gamë të gjerë zyrtarësh të shtetit, sikundër janë prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët nuk kanë dalë ende para vetingut. Për këtë kategori kryeministri Rama dhe armata e mazhorancës ka hedhur akuza të rënda, duke pretenduar se po bëjnë kërdinë dhe po bashkëpunojnë me krimin e organizuar, duke qenë se janë të vetëdijshëm se do të tridhen nga darët e organeve të vetingut.

 

Dhe duket se këto pretendime të mazhorancës socialiste dolën të vërteta, pasi disa ditë më pare një nga prokurorët e anatemuar nga mazhoranca socialiste si i lidhur me krimin e organizuar, e që quhet Arjan Ndoja, jo vetëm që hante drekë me kriminelët, por jetonte në simbiozë me ta, edhe pse si zyrtar i akuzës është betuar para Kushtetutës se do t’i syrgjynosë në burg kësisoj njerëzish. Ndërsa kategoria e dytë që po njollos reformat integruese dhe veçanërisht Shqipërinë, janë stomatologët, kategori kjo që përfaqëson bluzat e bardha, por që ka një marrëveshje fluide me krimin e organizuar ose më saktë është pjesë e saj. Gjatë kohëve të fundit janë plot tre raste që tregojnë qartë se stomatologët ose janë të lidhur me krimin, ose pastrojnë para. Rasti më i vjetër daton në shkurt të këtij viti, kohë kur stomatologia Olesia Duka, u bë e famshme pas zbulimit të skandalit me mashtrimin e biznesmenëve, të cilëve iu përlau plot 2 milionë euro. Rasti i dytë është ai i stomatologut, Redjan Rraja.

 

Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar, pasi ka qenë i pranishëm në tavolinë me Elton Çiçon në Tiranë në vitin 2016, i cili u ekzekutua te lokal “De Niro” në zonën e ish-Bllokut. Dentisti u akuzua se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ka fshehur celularin dhe pistoletën që mbante viktima, Elton Çiço. Por pak ditë më pare stomatologu rastësisht doli edhe si një njeri që ka kimi me krimin e organizuar, pasi është një nga të dyshuarit kryesor për atentatin kundër prokurorit Arjan Ndoja. Ndërkohë, rasti i tretë është ai i italianit, Ferdinando Muollo, të cilit pak ditë më parë i është sekuestruar pasuria me vlerë 750 mijë euro. 56-vjeçari italian, sipas autoriteteve italiane, ka qenë pjesëtar i bandës së rrezikshme në Itali, “Camorra”, por edhe porositës i një vrasjeje. Po çfarë ‘biznesi’ ushtronte italiani Ferdinando Muollo në Shqipëri?

Nga hetimet ka rezultuar se italiani kishte hapur një klinikë dentare në Durrës dhe gëzonte statusin e stomatologut. Pra, hoqa këto paralele për të treguar se jemi përpara një emergjence kombëtare dhe se Ofensiva ndaj grupit “KÇK” dhe stomatologëve që kërcejnë tango me krimin e organizuar është Domosdoshmëri. Ka ardhur koha që grupi “KÇK”, i cili bashkëpunon me krimin e organizuar dhe kriminelët që kamuflohen si stomatologë të shpallen në kërkim dhe të goditen me zero tolerancë.