—>

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019”.

Kështu, në këtë komision ishin të thirrur ndër të tjera Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë – KSSH, Shoqata e Invalidëve të Punës, Shoqata e të Verbërve, universiteti i mjekësisë, Down Syndrom Albania, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Zv/kryetarja e këtij komisioni, Elisa Spiropali tha se materialet e sjella prej tyre, do të vlerësohen me shumë prioritet nga komisioni i Punës, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Përfaqësuesit e Shoqatë së Invalidëve të Punës Shqipërisë paraqitën disa prej shqetësimeve të tyre lidhur me gjendjen tepër të vështirë ekonomiko-financiare, sociale sipas tyre, të mbi 72 000 invalidëve të punës.

Nga ana tjetër, Fondacioni “Down Syndrome Albania”, si përfaqësues i komunitetit të personave me sindromën Down në Shqipëri dhe i prindërve të tyre, pjesë të kërkesave të tyre kishin edhe ngritjen dhe funksionimin e Laboratorit gjenetik në Shqipëri, në mënyrë që kjo analizë të realizohet në vendin tonë.

Gjithashtu, ata kërkuan ofrimin e shërbimeve në mënyre cilësore dhe të hershme për fëmijët me AK, gjë që sjell parandalimin e problematikave të tjera në te ardhmen, të cilat përkthehen në kosto si për familjen ashtu dhe shtetin.

Në vijim, Konfederata e Sindikatave solli vlerësimet e tyre sa i përket projektbuxhetit për vitin 2019 duke dhënë disa propozime prej të cilave u kërkua: “Të përcaktohen buxhete specifike, për rritjen e efektivitetit te kabineteve stomatologjike në shkolla si dhe sigurimin e ujit të pijshëm të kontrolluar për të gjithë fëmijët e arsimit para universitar sepse sot ata shkojnë në shkollë me shishe uji me vete.

Ndërsa, shqetësimi që solli Shoqata e të Verbërve ishte konsolidimi dhe administrimi efikas i pagesave kesh për PAK, ku përfaqësuesit u shprehën se në praktike në më shumë se 20 vjet pagesat shtesë për shkak të kufizimit jepen si kompensim ne përballimin e barrierave sociale e natyrore në bazë të vlerësimit psiko-social.