Të gatshëm për të bërë biznes, por jo për shitje. Autoritetet e Groenlandës theksuan se ishulli i tyre, i pasur me burime natyrore nuk ishte për t’u shitur pas publikimeve në shtypin amerikan, sipas të cilave Donald Trump ishte treguar i interesuar për blerjen e territorit të madh autonom danez.

Një ditë më parë, e përditshmja ekonomike “The Wall Street Journal” kishte shkruar se presidenti amerikan, manjati i pasurive të patundshme, para se të hynte në politike, ishte treguar disa herë i interesuar për blerjen e këtij territori që numëron rreth 56 000 banorë.

“Groenlanda është e pasur me burime të çmuara (…). Ne jemi të gatshëm të bëjmë biznes, jo të shesim territor”, i është kundërpërgjigjur Ministria e Punëve të Jashtme e Groenlandës.

Në Kulusuk, një fshat gjuetarësh dhe peshkatarësh, me më pak se 300 banorë në jugperëndim të ishullit, baorët janë shprehur se nuk kanë besim tek projekti i Donald Trump.

“Kjo nuk do të ndodhë kurrë!, theksoi Jakob Ipsen, pronar i një prej dy hoteleve në këtë vend.

“Njerëzit e kanë marrë këtë si shaka, ata e kanë provuar në vitin 1867, më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe asgjë nuk ka ndodhur, kjo nuk rrezikon të ndodhë”, theksoi ai.

Groenlanda ka qenë një koloni daneze deri në vitin 1953, datë në të cilën ajo hyri në “Komunitetin e Mbretërisë” daneze.

Në vitin 1979, ishulli mori statusin e “territorit autonom”, por ekonomia e tij varet nga Kopenhaga.