Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka mbledhur ambasadorët dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, për të diskutuar lidhur me përpjekjet që po bëhen nga ky institucion mbi luftën kundër korrupsionit.

Teksa u diskutua plani i veprimit anti-korrupsion 2019-2023, Gjonaj prezantoi rrjetin e ngritur nga Ministria e Drejtësisë me koordinator antikorrupsion në 16 agjenci në nivel qendror dhe një pjesë në nivel vendor.

Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare kundër korrupsionit, Gjonaj prezantoi rezultatet e grupit task-forcë dhe disa nga treguesit e planit të veprimit.

“Veprimtaria e task-forcës antikorrupsion, ka rezultuar mjaft pozitive me rezultate konkrete të cilat kanë ndihmuar edhe në informimin e publikuar por edhe në ndëshkimin e rasteve të korrupsionit në përgjegjësi administrative apo përgjegjësi penale. Në një vit e gjysëm, më shumë se 650 masa disiplinore janë marrë për punonjësit e administratës publike. 120 prej tyre në nivele të larta dhe të mesme drejtuese, janë larguar nga detyra, dhe më shumë se 40 zyrtarë publik janë dërguar me kallëzim penal në prokurori”, nënvizoi Gjonaj.

“Në muajt që vijnë, task-forca antikorrupsion do të marrë një vlerë të shtuar nëpërmjet ngritjes së një rrjeti antikorrupsion i cili do të përbëhet nga koordinator antikorrupsion në 16 agjenci në nivel qendror dhe disa në nivel local, ku në bazë të të dhënave tona perceptimi i qytetarëve për korrupsionin për këto agjenci ka qenë më i lartë. Këtu përfshihet shërbimi dhe trajtimi i titujve të pronësisë, shëndetësisë, arsimit, inspektoriateve të ndryshme, Drejtorinë e Tatimeve dhe Doganave apo edhe në ato agjenci që ofrojnë shërbime, licensa për publikun dhe grupe të ndryshme të intresit”, u shpreh Gjoanj.

Ministrja e Drejtësisë siguroi se ky plan veprimi, është një nga prioritetet kryesore të qeverisë ku nënvizoi se gradualisht i gjithë sistemi po ngrihet në një nivel të ri për të reduktuar dhe eleminuar efektivisht rastet korruptive: “Ajo që kemi pririoritet qeveritar dhe unë personalisht si ministre, është pikërisht eleminimi i korrupsionit sidomos në shërbimet që u jepet qytetarëve.”

Nga ana tjetër ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, vlerësoi punën e bërë nga ministria Gjonaj, duke siguruar se Bashkimi Europian do të vijojë më tej të përkrahë projektet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për të luftuar korrupsionin.

Ndër të tjera ai tha se BE ka ofruar një mbështetje financiare prej 10 milionë eurosh në kontratë sektoriale dhe 1 milionë euro asistencë teknike.

“Lufta e Korrupsionit, është një luftë e gjatë dhe kjo mund të fitohet vetëm me përpjekjen e të gjithë shoqërisë dhe të gjitha institucioneve së bashku. Është një luftë ku luftohet kundër mentalitetit të abuzimit. Ministria e Drejtësisë, ministrja Gjonaj dhe i gjithë stafi i saj, ka mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian në luftën kundër korrupsionit”, tha Soreca.

Ndërkohë, Gjonaj adresoi një falendenderim ndaj ambasadorit Soreca, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile të cilët mbështesin iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë.

“Është inkurajuese të shohësh kaq shumë përfaqësues të partnerëve tanë ndërkombëtar dhe shoqërisë civile si mbështetës kryesorë të betejave tona kundër korrupsionit. Do doja të falenderoja personalisht ambasadorin e BE-së Soreca, i cili jo vetëm institucionalisht, por edhe personalisht ka qenë një mbështetje e vazhdueshme e nismave tona në luftën kundër korrupsionit”, përfundoi Gjonaj.