Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka hapur Konferencën Vjetore Rajonale të 16-të për regjimet e Pronave të Partneritetit Matrimonial dhe të Regjistruar në të Drejtën Ndërkombëtare Private të BE”.

Teksa ka vlerësuar partneritetin me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Fakultetin e Drejtësisë në UT, Gjonaj ka vendosur theksin te integrimi rajonal i cili sipas saj kërkon trajtimin dhe rregullimin sa më të drejtë të marrëdhënieve juridike mes qytetarëve të rajonit.

“Kjo Konferencë vjen sot në Tiranë pas një sërë takimesh të këtij niveli të mbajtura në disa vende të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Është domethënëse për ne mbajtja e këtij takimi vjetor në Shqipëri. E them këtë, pasi Shqipëria është duke bashkëpunuar intensivisht me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë vendet e Bashkimit Evropian, për të përmbushur aspiratën për anëtarësim në familjen e madhe Evropiane. Integrimi rajonal kërkon edhe trajtimin dhe rregullimin sa më të drejtë të marrëdhënieve juridike mes qytetarëve të rajonit, si marrëdhënie me elementë ndërkufitarë, ndaj kjo konferencë ka rëndësi të veçantë për ne të gjithë”, tha Gjonaj.

Ndërkohë, Gjonaj është ndalur edhe te reforma në drejtësi ku theksoi se procesi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese është në fazën e plotësimit të vakancave.

“Jemi në fazën përfundimtare dhe të plotësimit të vakancave të Gjykatës Kushtetuese që tashmë të dy organet kushtetuese Presidenti i Republikës dhe Parlamentit, duhet të veprojnë me përgjegjshmëri në bazë të procedurës dhe afateve kushtetuese për zgjedhjen edhe të 3 anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese me qëllim funksionimin e saj të plotë. Brenda reformës së madhe në drejtësi janë dhe një sërë reformash të tjera por rrënjësore për themelet e arkitekturës së Drejtësisë, siç është miratimi dhe tashmë zbatimi i kuadrit ligjor edhe për një sërë profesionesh të lira të drejtësisë siç janë avokatia, përmbarimi, ndërmjetësimi, noteria”, u shpreh Gjonaj.