Nga Alfred Peza/

Ka një kapitullim dhe dorëzim pa kushte, të të gjithë aktorëve e faktorëve opozitarë të shoqërisë shqiptare, përballë mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama. Dështimi i tyre spektakolar më 30 Qershor, i ka vendosur tashmë në udhëkryqin e historisë, duke i kërcënuar me dilemën e madhe ekzistenciale për të ardhmen.

Duke mos pranuar që e gjithë kjo rënie dërrmuese nga pema e madhe e sistemit demokratik të vendit, ishte pasojë e prerjes së degës në të cilën kishin hipur vetë, askush nuk ka marë ende mundimin që të identifikojë rrënjët e problemit, të gjejë fajtorët për të nxjerrë mësimet e duhura, në mënyrë që ky dështim të mos përsëritet në të ardhmen.

Në jetë e vendit ka nisur një etapë e re zhvillimesh politike, ku e vetmja kauzë që kanë përqafuar opozitarët, është ajo që ata edhe e artikulojnë kudo njëzëri: “Gjithë fajin e ka Edi Rama!”

Edi Rama e kishte fajin sipas tyre, se Lulzim Basha gënjeu duke thënë se “tërmeti” e detyroi që të ikte nga banesa e tij në një pallat, për të jetuar në dy vila në një nga resortet më të shtrenjta e luksoze të periferisë së Tiranës.

Edi Rama e kishte fajin sipas tyre, për bllokimin nga Franca të çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithëse e gjithë bota si kurrë më parë njëzëri, e kanë cilësuar atë si një gabim historik të Presidentit Macron.

Edi Rama e kishte fajin sipas tyre, edhe kur një prokuror si Arjan Ndoja, plagoset në një atentat me armë zjarri, ndërkohë që ishte duke udhëtuar në makinë sëbashku me një person me disa identitete dhe shumë precedentë penalë.

Edi Rama e ka fajin sipas tyre, se opozita e rrugës i la të gjithë përkrahësit dhe votuesit e vet rrugëve, në një përpjekje donkishoteske për të fituar pushtetin në tavolinë, nëpërmjet asaj që i dërguari special i SHBA në Ballkan, Metthew Palmer e cilësoi si një “ngërç politik të fabrikuar”.

Edi Rama e ka fajin sipas tyre, edhe kur përfaqësuesit e opozitës së re në Parlament, të dalë nga listat e firmosura me dorën e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit që në majin e 2017, sot nuk performojnë në sallën e shenjtë të të zgjedhurve të popullit, në standardin dhe me cilësitë politike të denja për deputetët e prag vitit 2020.

Edi Rama e ka fajin sipas tyre, edhe kur opozita e rrugës me gjithë përbetimet se do të vijonte serialin e protesta të fuqishme në shtator për ta rrëzuar atë vetë brenda vjeshtës, nuk ka as më të voglën dëshirë, fuqi e gjallëri për të bërë qoftë edhe një aksion sado modest.

Edi Rama e ka fajin sipas tyre, edhe kur aleatët tanë strategjikë flasin për rrezikun rus e kinez që i kanoset rajonit të Ballkanit, për shkak edhe të mënyrës sesi po zbatohet strategjia e zgjerimit të Bashkimit Europian, drejt vendeve të Ballkanit Perendimor.

Edi Rama e ka fajin për shumë e shumë gjëra të tjera, sipas atyre që deri dje, e akuzonin mazhorancën e tij se nuk po bënte asgjë pasi erdhi në pushtet më 2013, por po mundohej që të justifikohej prapa parrullës: “Gjithë fajin e ka Saliu”! Vetëm tani po vërtetohet, se të gjithë ata që deri dje akuzonin për këtë qasje Partinë Socialiste, ishin gati që ta bënin vetë me Kryetarin e saj, Edi Rama.

Kjo mënyrë e të bërit opozitë nuk është gjë tjetër, veçse produkti i syve të verbuar nga militantizmi dhe i mendjeve të zvogëluara nga pasionet e errëta, që nuk meren asnjëherë me analizën komplekse të ngjarjeve dhe fenomeneve politike, por vetëm me emrat e përveçëm.

Ndaj për sa kohë që për të gjithën çfarë ka ndodhur përgjatë 2019, ata nuk e shohin gabimin tek Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi por “gjithë fajin e ka Edi Rama”, e sigurtë është që opozita e rrugës do vazhdojë që tia zgjasë pambarimisht jetën në pushtet mazhorancës dhe Kryeministrit të saj. (Alpenews.al)