“Një vit sa më të mbarë në rrugën e bukur të dijes”. Ky ishte urimi i kryetarit të bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, për të gjithë nxënësit e sistemit 9-vjeçar dhe atij të mesëm për vitin mësimor 2019-2020.

Kryebashkiaku zgjodhi ta përcjellë urimin nga shkolla “Koto Hoxhi” pasi shoqëroi Kejdisin, një nga 306 vogëlushët që u ulën sot për herë të parë në bankat e shkollës.

Si pjesë e komunitetit rom i mituri po përfiton nga politikat sociale të bashkisë Gjirokastër. Gjyshërit, të cilët po kujdesen për edukimin, mirërritjen dhe shkollimin e tij, janë në proces të marrjes së kujdestarisë ligjore dhe shpenzimet gjyqësore do të mbulohen nga Drejtoria e Shërbimeve Sociale, pranë bashkisë.

Mbi 70 fëmijë nga familjet në nevojë janë përfitues nga Fondi Social dhe shërbimet mbështetëse.

Përveç politikave sociale Golemi premtoi më shumë investime në infrastrukturën shkollore, për të krijuar të gjitha kushtet e përshtatshme për një procesin mësimor sa më cilësor.