Sapo hyn në Galerinë e madhe të Muzeut Historik, mbetesh e mahnitur nga zjarri i ngjyrave që përflaknin sallën. Aty, betejat e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu shfaqen si në një film gjigant  të përmasave hollivudiane, në HD, 3D. Disa çaste mbetesh pa fjalë e s’di se ku ndodhesh: në një ekspozitë pikture të artistit Gjikondi, apo në një betejë Skënderbejane në “Gjirin e Kontit”…

Nga marramendja do të më zgjonte një zë tjetër artisti, diku pranë meje,. “Po,po, vetëm muzika e filmit Skënderbeu i mungon”. – Po mik, e vërtetë, po të ishte ende në jetë Çesk Zadeja, do të kompozonte një kolonë zanore të re, po aq të bukur për këtë film të ri, të madh të Gjikondit. Po ka edhe një shans, nëse ekspozitën do ta shohë Aleksandër Peçi, do të krijonte një  kryevepër tjetër.

Është një ekspozite e përveçme, me tablo gjigante në përmasa dhe përmbajtje. Gjithçka përmbush ky jubile për Skënderbeun. Ekspozita herë, herë dukej si një tablo e tëra dhe nuk dije nga ta nisje. Fuqia magjike e ngjyrave, dhe karakteri psikologjik i personazheve, fryma historike dhe tokësore, cilësia e veçantë e kësaj ekspozite me një bukuri madhështore. Asnjëherë nuk më ishte dukur kaq i plotësuar Muzeu Kombëtar, me 60 tablotë e Gjikondit me epopenë e lavdishme të sagës së shqiptarëve.

E nisa nga munda, dhe i qëmtova tablotë një nga një; secila tregonte një ngjarje, një histori, kishin veçantinë e tyre unike dhe të përbashkëta të mëdha, Sagën e Shqiptarëve, me heroizmin vetëmohues, dhe shpirtin e bukur, rebel, dhe të brishtë të Vangjel Gjikondit. Kishin brenda tyre dashurinë e madhe për këtë sagë stërgjyshore. Madhështinë e tablove në lirinë dhe kurajën krijuese për të na sjellë një epope të lavdishme.

Te duket sikur ke përpara gravura të shekujve të hershëm. Të sjellin ndërmend romantizmin apo Rilindjen e artë, të viteve kur ndodhin ngjarjet. Mjetet figurative të përdorura në realizimin e tablove, ku qielli dhe atmosfera e luftës shkrihen në një të tërë, duke formuar karakterin unik të veprës. Shkëlqimi i veshjeve dhe shpatave, njollat e gjakut, pluhuri, retë, qielli, me ndriçimin dramatik dhe lëvizjet dinamike të personazheve e veçanërisht e Heroit Kombëtar. Qëmtimi me detaje i çdo figure njerëzore, qoftë edhe në miniaturë apo në plan të parë, paraqitja e kështjellave, e pallateve luksoze, lëvizjet dinamike të personazheve kryesore, kanë përsosmërinë e shprehjes, madhështinë dhe tragjedinë  e Heroit legjendar dhe popullit të tij. Nga njëra tablo në tjetrën sheh pamjet e bukura, herë natyraliste dhe herë idealiste. Paraqitja e hollësishme e sendeve dhe figurave të shumta me kuajt e bardhë dhe lëvizjet e trokut të tyre,  iu japin tablove një dinamikë të fuqishme, por dhe një harmoni që krijon ngjyra e bardhë. Këtë gërshetim bën piktori shpesh herë brenda tablosë, për të zbutur flakërimin e ngjyrave dhe ngjarjeve.

Tek sheh dhe mbetesh përpara këtyre kompozimeve të mëdha, si piktura monumentale, prirjet shumëplanëshe e dekorative.“Këtë ekspozitë e kam nisur përpara dhjetë vitesh, aty rreth vitit 2008. Isha duke lexuar një libër të Ismail Kadaresë që flet për “Sagën e Shqiptarëve”. Kështu më lindi si  një ëndërr përfytyrimi për një ekspozitë mbi këtë temë. Dhe kështu e quajta në fillim Saga e Shqiptarëve. Fillova punën duke hedhur idetë e mia në telajo. Më pas m’u desh të shikoja filmin “Skënderbeu”, i cili më nevojitej për skemat. Vazhdoja të punoja dhe të lexoja Historinë e Skënderbeut të Barletit, dhe rilexoja librat që flisnin për këtë temë. Naim Frashërin, De Radën  dhe rilindës të tjerë. Tablotë i përfundova para katër vitesh, porse kaluan kohë duke kërkuar ndihmë për paraqitjen e tyre. Deri sa i ekspozova, kam vazhduar të punoj mbi to, duke i përsosur detajet dhe ngjyrat. Përkoi dhe me 550 –vjetorin e vdekjes së heroit, e quajta “Historia e Skënderbeut”, pasi është figura qendrore e kësaj  ekspozite.“

Tek sheh ekspozitën të vjen në mend autori, një zotëri elegant me një shpirt delikat, një temperament i heshtur që çuditërisht merr një hov të veçantë mbi telajo. Të gjitha tablotë kanë zjarrin e ngjyrave  të pastra të kombinuara  aq bukur duke u mbështetur mbi folklorin, etnografinë dhe antropologjinë e shqiptarit, aty dominon e kuqja e gjakut, ndaj të duket se ndodhesh midis  zjarrit të betejave. Freskia e ngjyrave, gama e tyre zotëron mjetet shprehëse, me një teknikë piktorike të veçantë, herë e butë dhe herë-herë e ashpër; shkëlqimi  i sipërfaqeve të pikturuara me të kuqen e gjakut, me blunë e thellë dhe jeshilen e veçantë në disa nuanca, apo okrën dhe ngjyrat e dritës së diellit, herë të qeta e herë të vrullshme shtojnë dinamikën e tablosë. Hyjnizojnë kështu, të kaluarën heroike të Shqiptarëve.

Tablotë e punuara me një fuqi dhe fantazi shprehëse, ku në telajo janë hedhur efektet e ngjyrave, na tregojnë në mënyrë kronologjike epopenë e sagës së shqiptarëve; ato momente të rëndësishme heroike të kohës së kryetrimit të arbërve, Skënderbeut. Efektet e rralla të dritës iu japin forcën mahnitëse ngjyrave, duke na paraqitur  heroizmin e kohës ndër luftërat e përgjakshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare.

Gërshetimi kompozicional i figurave

Gërshetimi kompozicional, spontan dhe harmonik i figurave  të pasura në mjete shprehëse,  u jep një bukuri madhështore tablove të pikturave. Figura e Skënderbeut, ndërtuar me një mjeshtëri të veçantë, ndryshe nga figurat e njohura në pikturat dhe skulpturat e realizuara më parë, por pa e deformuar imazhin që gëzon secili prej nesh për heroin, realizuar me kujdes, për t’i dhënë psikologjinë dhe pamjen tokësore, ku spikat  energjia e brendshme, duke vënë në pah karakterin e tij luftarak dhe heroizmin vetëmohues në mbrojtje të  atdheut.

“Është e vështirë të merresh me një figurë, mbi të cilën kanë punuar shumë autorë. Unë jam munduar që ta bëj ndryshe. E kam ulur në tokë Skënderbeun dhe e kam lidhur me popullin, me historinë edhe me betejat e ndryshme. Jam munduar që ta interpretoj edhe nga ana artistike, jo ta bëj strikt, në mënyrë fotografike.”-shprehet Gjikondi.

Është piktori i veçantë në realizimin e peizazheve, i lidhur shpirtërisht me natyrën e vendlindjes, Qeparoin dhe qiparisëve që hijeshojnë atë. Plazhi i Skalomes i veçantë për rërën e hollë dhe detin e cekët që të shfaqet përpara.

“Kam lindur në Tiranë, kur isha i vogël shkoja shpesh te gjyshërit atje. Edhe kur isha student rrija me muaj të tërë në fshat, në gjirin e vogël gjendet moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri si shpella e Frëngut dhe Hunda e Madhe. Rruga nacionale përmes ullishtave të çon në qendër të fshatit, përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Mitrit, ndërtuar në vitin 1881. Kisha e Shën Mitrit e stilit bizantin, ndërtuar në vitin 1760 ka vlera të mëdha për ikonostaset e saj prej druri.). Mali përballë me gjelbërimin e përhershëm të shkurreve, me aromën e pranverës, plekset me erën e jodit dhe të leshterikëve të detit dhe ndokush pa frikë mund të thotë se të tillë aromë duhet të kishte pija “amprosio” që pinin perënditë në Olimp. Po unë nuk  kam bërë piktura vetëm për Qeparoin dhe Jugun, kam shumë të tilla edhe në veri, si “Bjeshkët e Namuna”  “Lepush”, “Dragobi”, “Pamje nga Gjakova” e plot të tjera, për Tiranën, për Beratin, piktura moderne e punuar  herët para viteve 90. 

E pyes me kërshëri, për mbiemrin Gjikondi, se e kam hasur këtë mbiemër  tek librat e shkrimtarit Ismail Kadare“ Ura me tri harqe” dhe Tek “ Doruntina” mos ka pasur ndonjë gji të kontit dhe ju e bëtë mbiemër? Ai qesh dhe përgjigjet; “Qeparoi i Vjetër, Qeparoi i Vjetër (i sipërm) – Gjithë fshati ka pamje të bukur dhe arkitektonikë tradicionale. Gjithë rrugicat me kalldrëm dhe kishat e vjetra përbëjnë një figurë magjepsëse. Interes të veçantë paraqesin epigramet Iliro-Kaone në muret e ndërtesave të ndryshme. Në territorin e Qeparoit ka pasur 8 kisha me gjithë ato që përmenden në Palermo. Jemi nga familjet e para shqiptare që kanë banuar atë vend. Dhe di që njëri nga stërgjyshërit e mi ka qenë  prift me titull të lartë, në postin e Arkimandrit, që do të thotë zëvendësdespot.  Po  në Qeparo, ka dhe mbiemra nga Veriu, si Dede dhe Kola. Të ardhura shumë shekuj më parë nga veriu i Shqipërisë.”

Këto bukuri të rralla të natyrës e bëjnë piktorin të hedh në tablo ngjyrat si notat muzikore të kompozitorëve të mëdhenj. Në tablotë për vendlindjen, toka dhe qielli shpesh janë një të shkrira me ndjesi dashurie dhe dhimbje. Na e paraqet marrëdhënien e tij me natyrën me një ndjenjë  të hollë poetike, duke e kthyer forcën e ndryshimeve të saj në një forcë të brendshme artistike. Duke përdorur dritën dhe gamat ngjyruese të qeta.

Gjikondi nuk është piktor i trumbetave dhe tamtameve, por bën pjesë në rrethin e artistëve që janë të bindur për misionin fisnik të artit, për t’u bërë sa më i denjë për  t’i shërbyer atij me penel në dorë, larg idhujve dhe adhurimeve

Lexoj fletëpalosjen dhe CV-në e tij, shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Në galerinë Kombëtare 1990,  në Athinë dhe Pireos, 1993. Në “ONUFRI”,  në Galerinë Kombëtare -1994, në Paris në Ambasadën Shqiptare. Ekspozita në “Veve Center” nën kujdesin e Ambasadës Franceze në vitin 1998. Ekspozita në Holandë, organizuar nga Ambasada Shqiptare, Hagë-2000.

Pallati i Kombeve të bashkuara–Gjenevë 2000. Ekspozitë në Ambasadën Amerikane, viti 2003. Ekspozitë ne Washington DC nën kujdesin e Institutit Smithsonian dhe Ambasadës Shqiptare,  dhe plot të tjera në Hungari, Budapest-2005, në Itali, Parma-2005, në Suedi, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Malmo viti 2012. Në Galerinë Kombëtare ndodhen disa piktura të Gjikondit. Ekspozita kolektive organizuar nga Instituti i Librit  dhe Shtëpia Botuese “Toena”, 2014-2018 e shumë të tjera. Që prej vitit 1999 ai ka krijuar galerinë private “Gjikondi”, e vizituar prej shume artdashësish  të vendit e të huaj.

I kam parë herët pikturat e Vangjos dhe di t’i dalloj që larg, ashtu si piktorëve të tjerë të mirënjohur të vendit tim. I kërkoj të më tregojnë diçka interesante. I druajtur në heshtjen e tij, fjalëpakë dhe thjesht më tregon se në vitin 1985, “hapa një ekspozitë pikture në Pallatin e Kulturës, ku sigurimi i shtetit me mori librin e përshtypjeve, pasi  kishin ardhur për të vizituar ekspozitën Ambasadat,  ndër ta dhe Ambasada Italiane, ku disa ditë përpara kishte kërkuar strehim politik familja Popa. Vinin plot të huaj, donin të blinin piktura me dollarë, po ishte krejtësisht e pamundur, isha tërësisht i survejuar, vinin të huaj për blerje pikturash, iknin pa blerë, sepse unë nuk mund të shisja asnjë prej tyre. Sigurimi i shtetit vinte rrotull, sepse të huajt shkruanin në librin e përshtypjeve fjalë të mira dhe komplimente për pikturën. Sigurimsat ma morën librin e përshtypjeve dhe as sot se di ku është. Më vinin rrotull çdo çast. Të ndihmuar edhe nga piktorë të nomenklaturës si Muntaz Dhrami, i cili erdhi në Pallatin e Kulturës, ndërsa bëhesha gati të vendosja pikturat, të cilat i kisha radhitur poshtë, mbështetur në mur, ai i ra me shqelm pikturave i revoltuar duke më thënë “ç’janë këto piktura, të zymta, peizazhe pa diell, ku e ke dritën e diellit?

-Po pastaj? Pyes kurioze se ajo kohë bënte çudira.  -Pastaj pata një kurajë, një kënaqësi të veçantë, po në vitin 1985, Hotel Dajti më bleu dhjetë peizazhe me pastel. Aty i kish parë  shkrimtari Ismail Kadare. Ai erdhi në shtëpinë time, disa herë, bleu disa peizazhe, më ftoi në shtëpinë e tij, dhe ku për tre vjet rresht takoheshim te studio e tij, më pas shkonim pinim kafe te 15-kateshi. Ishte kënaqësi biseda me Kadarenë, ndërsa pranonte se nuk ishte një njohës i mirë dhe studiues i pikturës, më fliste shumë për rrymat e artit dhe në veçanti për  realizmin magjik, kështu e përcaktonte pikturën time që prej asaj kohe. Në vitin 1987-1999 me botoi te revista, LESS LETRES  ALBANAISES,  dymbëdhjetë nga pikturat e mia. Ato piktura me afirmuan nga Kadareja në ambasadat e huaja dhe në botë.

Vangjo e ndërpret bisedën duke patur frikën e mburrjes, tepër modest dhe fjalëpak i përgjigjet habisë sime.“Por ndodhi ajo që në vitin, 1989-90, pikturat e ekspozuara ne Hotel Dajti, të gjitha u kopjuan  nga piktorë anonime, ku i blenë Italiane, Serbe dhe Bullgare…të paktën origjinalet shpëtuan…

E pyes nëse e kish takuar më pas Muntas Dhramin. “Unë i shmangesha, jo vetëm që s’doja ta takoja por e pata frikë ca kohë, më patën thënë disa miq, se në një nga pleniumet e Lidhjes së Shkrimtarëve, kishin propozuar për të më arrestuar, po më kishte mbrojtur Viktor Gjika me Kadarenë dhe Diana Çulin. Erdhi vetë Muntazi, para pak ditësh këtu te ekspozita  dhe përsëri më ngacmoi më mërziti shumë dhe ia ktheva keq pastaj.  Sapo hyri më tha: Ç’e ke këtë Skënderbe kështu, pa kapele? Në fakt është një tablo ku Skënderbeu Lufton me Tartarët, aty edhe Barleti dhe Naim Frashëri e tregojnë Skënderbeun të zhveshur fare në duel. Unë i hodha një pelerinë të kuqe po nuk ja vura kapelën. Ai si gjithnjë dashakeqës, më erdhi inat dhe i thashë; “po le ç’pyet, ç’ke bërë ti, nga ato skulpturat butaforive të realizmit socialist”. Etj. Ç’të thuash për këta njerëz që nuk ndryshuan kurrë. Vjen pas 33 vjetësh dhe më prish krejtësisht humorin, mezi e mblodha veten, sepse m’u kujtuan dhe ato kohë… Po unë kam pasur shokë e miq shumë të mirë që kam mësuar shumë prej tyre edhe në ato kohë, si Zef Shoshi që më ka ndenjur pranë që i ri fare, kam shumë respekt për Fatmir Haxhiun, kam mësuar shumë prej tij për pikturën monumentale, ishte njeri serioz me zemër të madhe, e kam mik Burhan Kacelin, me poetin Betim Muço takoheshim te 15-katëshi pinim kafe së bashku me Kadarenë e plot të tjerë.

Ekspozita ka brenda dhe frymën e romantizmit, tablotë e tua më duken herë si gravura e herë monumentale, kanë brenda artin e rilindjes së artë, apo të realizmit magjik. Një vizitor i huaj ka shkruar në librin e përshtypjeve se është i impresionuar nga kjo pikturë ekspresioniste, nuk di ta përmbledh në një të vetme, më ndihmo pak.

Gjikondi ul kokën dhe flet qetë.- Po, më pëlqen romantizmi, kam lexuar herët Çarl Dikensin, më pëlqen shumë, dhe gjej veten tek David Koperfildi. Unë kam studiuar pikërisht për pikturën monumentale ne Institutin e Lartë të Arteve, por atëherë pikturën monumentale e zotëronin të mëdhenjtë,unë bëja pjesë tek të vegjlit. Temën e diplomës doja ta mbroja me tablo të pikturës monumentale, por profesori më tha; jo, jo, vazhdo me peizazhin. Dhe unë bëra pejzash i cili u botua në të gjitha revistat e kohës. Ç’të them unë, më pëlqen e bukura në përgjithësi, dhe aty ku ka tmerr, dhimbje dhe dramacitet dua ta zbut ta bëj të bukur. Krijimtaria ime fillon me 1978-1990.. ku kam mbledhur mbi 1500 peizazhe, koleksione të cilët i ruaj akoma….kurse nga viti, 1991 deri 2018 kam rreth 1000 tablo me koncepte realiste dhe moderne si…peizazhe,portrete,kompozime etj…

Vlerësimet nga të huajt

Në librin e përshtypjeve, ku vizitorët shprehin vlerësimet e tyre dhe urimet dhe falënderimet për këtë ekspozitë të bukur me një tematikë të madhe historike, një i huaj vlerëson pikturat e Gjikondit si, ekspresioniste.

“Piktor me krijueshmëri befasuese e mbresëlënëse. Zor se gjen ndonjë vend në botë të përkujtojë me respekt e dashuri një hero të vetin të shumë shekujve me parë, ashtu siç bëjmë ne shqiptarët me Skënderbeun e Madh. Imagjinata e piktorit në tablotë e tij ilustron më së miri aftësitë e Skënderbeut si një ushtarak e udhëheqës i sprovuar. E përshëndes piktorin e madh e i uroj atij suksese të mëtejshme”.

“Të lumtë more djalë! Ekspozita jote “Historia e Skënderbeut”, jo vetëm e rrallë, por shumë domethënëse, sepse Skënderbeu dhe trimat e tjerë, kontët dhe ushtarët e tij, dhe i gjithë populli, luftuan për të mbrojtur trojet e Arbërisë, të mëvonshmit dhe këta të tanishmit duan t’i falin, pa asnjë dhimbje dhe mbrojtje tokat shqiptare.  Shprehet një vizitor disi i revoltuar, dhe përqafon piktorin.”

Kolegu i tij Zaim Elezi, shprehet se Gjikondi tanimë një artist me individualitet të përcaktuar, si në aspektin ngjyrues po ashtu edhe në atë grafik e teksturor. Tablotë e ekspozitës të krijojnë idenë e gobelinave të hijshme dhe të nurshme që rinë mrekullisht në hapësirat e ekspozitës, jo thjesht duke ilustruar historinë vetëm, por duke të çuar thellë në kohë, në ato vite heroike dhe duke të bërë pjesë të tyre. Një punë kolosale plot dashuri dhe vetëmohim, dëshmi e karakterit të paepur të artistit. Ekspozitë kjo e duhur dhe absolutisht e pangjashme ne motiv dhe në të gjitha aspektet deri sot ne lidhje jo vetëm me temën dhe subjektin.

“Unë pasqyroj historinë e Skënderbeut, ose Sagën e shqiptarëve, se si mund të quhet ndryshe. Nuk është investuar fare. Bëhet thjesht një betejë e përgjithshme për të, por nuk pasqyrohet asgjë, kjo është edh për teatrin, filmin e muzikën. Më shumë kanë bërë të huajt për Heroin tonë kombëtar në këto fusha. Nuk më është pranuar që herët kjo ekspozitë. Skënderbeun mundohen  ta s’postojnë për interesat e tyre politike. E përmendin disa herë me pompozitet pastaj e lënë mënjanë. Që në vitin 2012 kam bërë kërkesë edhe nuk më kanë pranuar edhe në MK s’më pranuan. Bëra kërkesë tjetër tek “Shqipëria që duam” edhe nëpërmjet saj më kanë dhënë thjesht sallonin ku kam ekspozuar. Gjithsesi i falënderoj. Nuk erdhi as edhe një nga institucionet, që trumbetojnë vitin e Skënderbeut…vetëm intelektuale, artistë, pedagoge te historisë,  gazetarët dhe televizionet erdhën, disa e pasqyruan thjesht disa realisht e të plotë,  por erdhën.”, tregon Gjikondi.

Përshtypja e parë  se po shihja një film HD, 3D,  që më dha ekspozita sapo hyra në sallë, nuk ishte e gabuar. Gjikondi e njeh mirë filmin, ai kur sapo mbaroi Institutin e Lartë të arteve 1978-1993 u emërua piktor –filmi në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku ka realizuar dhjetë filma artistikë, prej të cilëve më i paharruari është“ Pranvera e hidhur” me Sandër Prosin… ”Ishte kënaqësi të rrije me Sandër Prosin. Ishte një njëri me kulturë dhe botë të madhe, ai më fliste për piktorë të mëdhenj, që në ato kohë nuk ja zije dot emrin, si Van Gogu, pëlqente shumë muzikën e Vagnerit dhe më fliste për të dhe për Nitchen. Trishtohej shumë kur regjisorët nuk i merrnin parasysh vërejtjet dhe ndërhyrjet e tij në skenarët skeptik të asaj kohe. Kishte shpesh një shikim të përhumbur dhe rrinte i menduar, po nuk dukej aspak në depresion. Ashtu si janë në fakt të gjithë artistët në përgjithësi ndonjëherë duken të përhumbur. Unë nuk besoj kurrë se ai u hodh vetë, ashtu si dhe u komentua, jo aspak. Ai ra nga shkallët tek Vollga duke zbritur për të nisur xhirimet në amfiteatrin antik të Durrësit. Shkallët e Hotel Vollgës vinin në formë spiraleje ku parmakët e shkallëve valëzonin duke u ngritur dhe ulur gjatë zbritjes. Mendoj se në atë çast ka patur lëvizje tensioni apo ndonjë marramendje e ardhur nga diçka shëndetësore, apo pagjumësi, po aspak depresion. Ishte njeri i qetë dhe i kthjellët në ato qe thoshte dhe bënte. Unë pata një respekt të madh dhe e doja atë artist të madh, gjatë gjithë kohës që rrija me të, derisa regjisorët vinin nga Tirana, e kam vizatuar portretin e tij disa herë, ishte shume interesant, në qëndrim dhe mendim. Pastaj e bëra pikturë me bojëra vaji, sapo e përfundoja ai të nesërmen rra, dhe nuk u ngrit më. Janë kujtime të dhimbshme dhe të paharruara.

Largohem me mbresa të thella nga ekspozita, për tu rikthyer përsëri.