Deputeti i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë të cilit diskutuan për ecurinë e reformës zgjedhore në Shqipëri.

Gjatë takimit, ambasadori Zingraf ritheksoi interesimin maksimal të Gjermanisë për reformën zgjedhore.

“Në takim diskutuam mbi ecurinë e deritanishme të këtij procesi, gatishmërinë e mazhorancës për të krijuar hapësirat e bashkëpunimit për opozitën parlamentare ashtu edhe atë joparlamentare”, shprehet Gjiknuri.

Deputeti i PS-së, tha se “në kuadër të adresimit të kërkesave të opozitës parlamentare, me bashkëkryetaren e komisionit Rudina Hajdari jemi dakordësuar të organizojmë brenda shtatorit një tryezë gjithëpërfshirëse diskutimi mbi çështjet e sistemit zgjedhor”.