Ditën e djeshme kudo nëpër media u përfol për zhdukjen e dy turisteve në rajonin malor të Alpeve Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna). U tha se vajzat kishin hyrë në Malin e Zi nëpërmjet Vërmoshit dhe se makina e tyre ishte gjetur bosh, kësisoj policia u vu në kërkim të tyre.

Mirëpo fatmirësisht vajzat janë gjetur dhe thuhet se janë shumë mirë sa i përket gjendjes shëndetësore. Një guidues i Bjeshkëve të Nemuna i quajtur Gzim Murati ka gjetur turistet në fjalë dhe madje edhe ka publikuar një foto me to në rrjetin social Facebook.

Murati ka treguar se të dyja ishin shëndoshë e mirë, por thjesht nuk kishin pasur internet. “I gjetën, shëndosh e mirë, afër Vuthajve, thjesht thanë se nuk kemi pas internet, edhe se nuk kemi ditë se dikush po na kërkon”, ka shkruar Murati krah fotos së publikuar.