Mero Baze/

Bashkia e Devollit që deri më sot drejtohej nga Partia Demokratike, sot ka një kryetar të ri, të cilit ju desh të ndërronte celsin e derës për të hyrë brenda.

Betimi i Lulzm Bashës për të mos dorzuar bashkitë që drejtohen nga PD, në Devoll u shfaq në formën e kyçjes së derës. Nuk e përjashtoj mundësinë që të diversifikohet mënyra e dorëzimit në bashki të tjera. Dikush mundti vërë zinxhira, dikush tjetër ndonjë hu pas derës, sipas fantazisë që mund të kenë, por kjo është çështje logjistike jo politike.

Problemi që ka Lulzim Basha tani, është se afati për të gënjyer edhe të zgjedhurit e PD, që të mos kandidonin më 30 Qershor se ai kishte një plan , mbaroi.

Këtë javë ata zëvendësohen të gjithë, ndërsa Lulzim Basha ka filluar u bën një premtim të ri lidhur me zgjedhjet të reja parlamentare dhe lokale brenda një dite, natyrisht pa Edi Ramën.

Pra nëse përpiqesh të kuptosh Lulzim Bashën, arrin të kuptosh vetëm faktin, që ai shtyn ditën kur duhet të jap llogari për atë që ka ndodhur.

30 Qershori kishte rëndësi, jo si datë që po bëheshin zgjedhje me standart, por si datë që dikush duhet të humbiste dhe të mbante përgjegjësi për atë që po bëhej.

Edi Rama dhe Lulzim Basha kishin premtime diametralisht të kundërta. Edi Rama kishte premtimin se më 30 Qershor do të mbahen zgjedhje me çdo çmim dhe i qëndroi, duke siguruar dhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë kundër përpjekjes për zjarrëvënie të Shqipërisë.

Lulzim Basha kishte premtim se zgjedhjet nuk do të lejohen, nuk të pranohen nuk do të njihen. Ato u lejuan, u pranuan dhe u njohën, dhe Lulzim Basha vazhdon të mos marë përgjegjësi për dështimin.

Afatri i ri që i ka vënë vetes për të gënjyer, është pa kohë dhe pa përmbajtje. Thjeshtë po përpiqet të shtyj përgjegjësinë për 30 Qershorin, duke gënjyer ata që gënjeu dhe më 30 Qershor.

Nuk është se shqiptarët tani janë shumë të preokupuar pse Lulzim Basha nuk mban përgjegjësi për 30 Qershorin, pasi ata që deshën 30 Qershorin e bën të vetën. Por kjo që demokratët dhe në këtë pikë vape, të dëgjojnë se dështimi i platformës së shpallur për 30 qershorin, është sukses dhe të shpresojnë se gënjeshtra e re ka kismet të ri, është pak poshtëruese.

Të paktën Ilir Meta shpreson të sajoj ndonjë revoltë në vjeshtë para negociatave, kurse ky shpreson vetëm të sajoj ndonjë gënjeshtër që të mos i kujtojnë gënjeshtart e vjetra, sipas parimit “gënjeshtër e re, kismet i ri”.