Sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi, e ka mohuar deklaratën e Ilir Metës se më 8 qershor do digjej Kuvendi.

Por ndërsa Bardhi e mohon, Petrit Vasili e pohon këtë gjë.

Sipas tij, ai ka qenë pikërisht me Gaz Bardhin, kur ka parë një grup të dyshimte njerëzish, që mund të digjnin edhe Kuvendin.

“Meta është president deri në fund të mandatit. Kushtetuta thotë se nuk kanë çfarë të shkarkojnë, janë ata që duhen shkarkuar. Veprimi i presidentit ishte shumë i matur.

Bëhej fjalë për gjëra shumë të rënda, siç mund të ishte dhe djegia e Parlamentit. Isha bashkë me Bardhin, kur pamë një grup personash, që nuk e di të kujt ishin. Kishte provokatorë të shumtë. Ishte një klimë e tensionuar, sepse qeveria kishte qëllimin vetëm të bënte zgjedhje dhe t’ia linte fajin opozitës”, tha Vasili për News 24.

Deklaratat e Metës në Komisionin Hetimor

“Pashë një president që nuk ndryshon asgjë në funksion të Kushtetutës, me një gjuhë të përmbajtur, por edhe një njeri mbi palët. Edhe vetëofrimi i postit të presidentit ishte një akt mjaft madhor. Parlamenti është një zorrë qorre e kryeministrit. Shumë mirë që opozita nuk është më pjesë e këtij Parlamenti.”

Si e shihni 13 tetorin?

“Nuk kam parë pyetje më budalle, se ajo e deputetëve në komision “çdo bëni ju me 13 tetorin?”. Çdo bëjnë këta me 13 tetorin, ata duhet të zgjedhin përfundimisht, sepse janë vendosur në kushtet e paligjshmërisë. Ne jemi shprehur qartë se për opozitën 13 tetori është datë e ligjshme zgjedhjesh. Këtu paligjshmëria është ulur këmbëkryq. Këta janë në një paligjshmëri, që i dërrmon fare si qeveri.”

Si ju duk përgatitja e komisionit sot?

“Kurioziteti nëse do shkonte apo jo Meta në komisioni ishte i trashë. Ilir Meta raportin me institucionet e ka të panegociueshëm, është kategorik. Kjo është cilësia më e vyer e një politikani shqiptar. Meta nuk bën pazar me principet, i nënshtrohet votës ose i bindet Kushtetutës. Nuk ka ndodhur kurrë për ne si LSI, të dalim kundër ligjeve të ngritura.

Ai Parlament është një mjerim i vërtetë, sot u pa një nivel mediokriteti. Sot ne kemi vetëm një institucion, Presidencën, dhe kemi humbur gjithë shtetin. Në PS nuk kanë vdekur njerëzit e përgjegjshëm dhe që të mund të dallojnë këtë krizë.”