Këshilli i Lartë i Prokurorisë i është drejtuar sot me shkresë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë, mes të cilës i dergon renditjen e kandidateve në garë për postin e Kryeprokurorit.

Kujtojmë se në renditjen e bërë nga KLP, Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela është renditur i pari me 459 pikë, e pas tij u klasifikua Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe e treta, kandidatja Fatjona Memçaj.

Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit”-theksohet ne letren e KLP, drejtuar kryeparlamentarit. Pas kesaj, i takon Kuvendit te shprehet me votim per zgjedhjen e kryeprokurorit.

SHKRESA

Lënda: Dërgohet vendim nr.236 datë 14.11.2019 i KLP “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Z. GRAMOZ RUÇI
KRYETAR
T I R A N Ë

I nderuar Z.Ruçi,
Në mbështetje të nenit 148/a pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, ligjit nr .97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e tij të datës 14.11.2019 ka miratuar vendimin nr.236 “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”. Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit.

Për sa më sipër në bazë të nenit 34 dhe 35, të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe tё nenit 21 pika 6 të Rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”; bashkëlidhur Ju përcjellim vendimin nr.236 datë 14.11.2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe relacionin shpjegues, si pjesë përbërëse të tij.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin

KRYETARI
GENT IBRAHIMI