Një kabinë elektrike u dogj mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, duke lënë pa energji elektrike disa banesa rreth saj në Fushë Krujë.

OSHEE ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje duke thënë se Kabina “Kastriot i Vjetër”, operonte me pajisje të vjetra 6 kV, e ndërtuar me arkitekturë tip kullë që në kohën e elektrifikimit, rreth 40 vite më parë.

Marrja flakë e kësaj kabine shtoi edhe rrezikun për një shpërthim të mundshëm, por fatmirësisht zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë flakët. Ndërkohë OSHEE stakoi fiderin për masë sigurie, më pas, me normalizimin e situatës, brigadat e OSHEE Agjencia Fushë Krujë, së bashku me një staf suport të ardhur nga Drejtoria Rajonale Durrës, kanë zëvendësuar pajisjet me të reja 20kV, në të gjitha pjesët përbërëse të kabinës.