Drejtoria e Policisë së qarkut të Korçës përfshihet nga vala e ndryshimeve. Mësohet se drejtoria vendore do të pësojë ndryshime në disa prej strukturave kyçe të saj. Report Tv mëson se janë shkrirë plotësisht sektori i krimit ekonomik dhe sektori i antidrogës, ku përveç specialistëve, të cilët janë transferuar në sektorë të tjerë, mësohet se janë larguar nga detyra edhe dy drejtuesit e këtyre sektorëve.

Sipas të njëjtave burime, janë larguar edhe shefi i qarkullimit të Korçës dhe Pogradecit, të cilët do të mbajnë detyrën e shefit të rendit. Shefi i qarkullimit të Korçës do të mbajë pozicionin e shefit të rendit në Maliq, ndërsa shefi i qarkullimit të Pogradecit do të mbajë pozicionin e shefit të rendit në po të njëjtin qytet.

Edhe sektori i qarkullimit rrugor ka pësuar ndryshime. Më shumë se 50% e efektivëve të këtij sektori do të transferohen në sektorin e rendit, ndërsa në sektorin e qarkullimit priten emërime të reja. Lëvizjeve nuk do t’i shpëtojnë edhe komisariatet. Ndryshimet në strukturën vendore të Policisë Shtetit vijnë pas miratimit të ristrukturimit me firmë të Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu muajin e kaluar.