Bota nuk paska hall tjetër më 17 Nëntor, vetëm e vetëm të jetë e pranishme në stadiumin Arena Kombëtare, për të parë ndeshjen bujëmadhe, Shqiperi-Francë dhe kjo për shkak të shqiptarëve.

Sa herë që veshim petkun e biletashitësit ndërkombëtar, na bëhet sikur tërë bota vjen vërdallë orbitës sonë, madje duket sikur jemi ne më të rëndësishëm se edhe vetë ..bota!

Shijoni frazën zyrtare të dalë nga “goja” e FSHF-së, adresuar gazetarëve, me rastin e kësaj ndeshjeje “botërore”: “ Për shkak të kërkesave shumë të mëdha nga media nga e gjithë bota, dhe detyrimeve që kemi ndaj Francës, që ka shumë gazetarë në këtë ndeshje, mund të aplikojnë vetëm gazetarët që mbulojnë sportin…”

E para, gjithë bota dashka bileta për këtë ndeshje, edhe përballohet si gënjeshtër, ngaqë loja me biletat është e vjetër, por, kjo e dyta, që paskemi detyrime ndaj Francës, duket si një çmenduri e nivelit të lartë, që vërteton se tanët kanë në dorë biletat, por nuk kanë në kokë…trutë!

Po në Francë, a s’na e bënë lesheli himnin dhe më pas, për ta bërë edhe më “spektakolare” gafën, i kërkuan falje futbollistëve armenë sepse nuk e dinin se në fushë kishin përballë futbollistët nga Shqipëria.

Ky është borxhi që i kemi Francës apo na e ka Franca ne? Meqë nuk kemi leqe, as politike e as sportive, për t’ia ngatërruar edhe ne himnin francezëve, atëherë, le të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë..nënshtrimin sikur të ishim borxhlinjtë e tyre.

Apo vallë quhet borxh prania e Francës së madhe, kampione e kësaj bote, në një stadium që po nxiton ethshëm, madje po terbohet para pasqyrës për t’u bërë gati, aq sa kanë ardhur edhe vullnetarë nga UEFA, te cilët po na mësojnë kozmetikën ..sa për natën e parë. (Sfidanti.al)