Situatë e tensionuar në shkollën 9-vjeçare “Ramazan Subashi” në Marikaj të Bashkisë Vorë, ku ndodhen qendrat e votimit 1558/0, 1558/1, 1559/0 dhe 1559/1. Sipas raportimeve nga kjo qendër mbështetës të PD dhe drejtues e punonjës të Bashkisë së Vorës janë stacionuar pranë hyrjes kryesore të oborrit të shkollës dhe u bëjnë presion qytetarëve që hyjnë për të votuar.

Rreth orës 14:00 në këtë qendër votimi ka pasur një acarim të situatës, e cila ka rrezikuar të përshkallëzohej në një përplasje fizike. Si rrjedhim i provokimeve të mbështetësve të PD, të cilët kanë bllokuar portën hyrëse për në mjediset e shkollës, është krijuar një situatë e ndezur ku mbështetësit e të dy palëve janë përballur me njëri-tjetrin, por gjithësesi është arritur të shmanget konflikti fizik.

Nga komisionerët e qendrave të votimit është lajmëruar edhe Policia e Shtetit për këtë situate, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje. Nuk konfirmohet të ketë persona të shoqëruar, por policia i ka këshilluar punonjësit e bashkisë Vorë, që të mos bëjnë presion votuesve.

Ndërkohë nga stafi elektoral i kandidatit për kryetar bashkie i PS, Agim Kajmaku, është denoncuar gjatë ditës bllokimi i vazhdueshëm i rrugës që të çon në të katër qendrat e votimit të shkollës “Ramazan Subashi”, përmes vendosjes së makinave në hyrje rë kësaj rruge.

Sipas të njëjtave burime grupi i personave që organizojnë bllokimin e rrugës dhe që provokojnë qytetarët që shkojnë të votojnë përbëhet nga punonjës dhe drejtues të bashkisë së Vorës e konkretisht nga:

Mira Murataj, drejtore në bashkinë e Vorës, Astrit Kuçi, punonjës në sektorin e ujësjellësit në Bashkinë e Vorës (personi i cili krijoi incidentin që u zgjidh nga Policia e Shtetit), Arben Kuçi, Festim Mara, Elton Mara, Besnik Kuçi etj.

Për shkak të vazhdimësisë së kësaj situate në Marikaj, nga ana e punonjësve të bashkisë së Vorës, shtabi elektoral i kandidatit Kajmaku ka vënë në dijeni edhe OSBE dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë.

Sipas të dhënave nga KZAZ Vorë, deri në orën 17:00 numri i votuesve në qendrat e votimit në Marikaj ka shkuar rreth 410 votues.