“Fjalori i gjuhës shqipe”, instalacioni më i ri i vendosur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë po tërheq vëmendjen e qytetarëve të të gjitha moshave.

Ky fjalor u vendos në përmbyllje të Tetorit të Librit, nga Ministria e Kulturës. Përmes një monitori, bashkëlidhur me të, qytetarët mund të kërkojnë kuptimin e cilësdo fjalë të fjalorit.

Kalimtarët e shumtë që përshkojnë çdo ditë sheshin “Skënderbej”, ndalojnë për të vëzhguar këtë fjalor, por edhe për të fiksuar në telefonat e tyre një fotografi para tij.

“Fjalori i Gjuhës Shqipe” është botim i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë”. Ai përmban rreth 35 000 fjalë, 7 000 njësi frazeologjike dhe mbi 100 000 kuptime.