Me mesazhe paqeje e harmonie për njëri-tjetrin si dhe lutje për më shumë begati, besimtarët myslimanë falën mëngjesin e sotëm namazin e Kurban Bajramit, në sheshin ‘Skëndërbej’.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu u shpreh se simbolika e kësaj dite është kurbani, si shenjë mirënjohje ndaj Zotit.

“Allahut i intereson devotshmëria jonë. Te Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i Kurbanit, por bindja ndaj tij. Kurban Bajrami është dita ku ne i shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me sytë e dashurisë. Allahut i intereson devotshmëria jonë. Dëshmia e sakrificës na bën që ti jemi Zotit mirënjohës. Kjo na nxit të jemi gjithmonë të gatshëm dhe të bëjmë sakrifica për fe dhe atdhe. Kurbani do të thotë afrim të njeriut me krijuesin. Njerëzit nuk duhet t’i ndërpresin shpresat te Allahu”, tha ai ndër të tjera.