Politika është angazhuar sërish që të bëhet pengesë e projekteve që sjellin zhvillim në qytetin e Tiranës. Ashtu si në rastin e Këndit të Lojërave te Liqeni Artificial, Unazës, Teatrit Kombëtar, Bulevardit të Ri, Partia Demokratike, nëpërmjet strukturave të saja, duket se është angazhuar totalisht sërish në një tjetër fushatë bllokuese, kësaj here kundër një objekti arsimor, siç është shkolla e re “Nënë Tereza” në Kodër Kamzës.

Prej disa ditësh një grup i njohur personash të angazhuar në strukturat më të larta drejtuese të Partisë Demokratike, si Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-deputeti Gjokë Vuksani, anëtarë i Këshillit Drejtues Kombëtar të PD-së, apo edhe Fatbardh Sallaku po ashtu anëtarë i Këshillit Drejtues Kombëtar të PD-së, janë vendosur në krye të protestës së disa studentëve duke kërkuar që shkolla të mos ndërtohet. Por në fakt ajo që rezulton është se edhe vet ata që sot hiqen si studentë, në fakt janë militantë dhe anëtarë të strukturave politike të PD-së.

I tillë është edhe rasti i Halit Roçit, që këto ditë e kemi parë shumë aktiv në këtë protestë kundër dijes. I riu në foto paraqitet çdo ditë te hyrja e kantierit ku do të ndërtohet shkolla dhe me megafon përpiqet që të organizojë studentët e tjerë. Po kush është Halit Roçi? Nga një kërkim i thjeshtë në internet ai rezulton të jetë një militant tepër i angazhuar i PD-së dhe që merr pjesë në çdo aktivitet të kësaj force. Jo vetëm kaq por siç shihet edhe në fotot e mëposhtme, në profilet e tija në rrjetet sociale, Halit Roçi duket se mban shoqëri vetëm me demokratët, ndërsa nuk nguron që të ekspozojë në çdo rast simbolet e PD-së./ Tiranapost.al.