“Me buxhetin e shtetit financojmë bashkitë për ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale për gratë, fëmijët në vështirësi, të moshuarit dhe të gjithë kategoritë në nevojë, nëpërmjet Fondit Social. 14 bashki janë përfitueset e para të financimit të qeverisë për 14 shërbime të reja që do të mbështesin 3500 njerëz në nevojë”. Gjatë takimit me Kryetarët e Bashkive, Ministrja Manastirliu deklaroi se Fondi Social është instrumenti i duhur financiar për ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve në territor.

“Jam shumë e kënaqur që këtë përpjekje të kahershme e kemi bërë realitet, me mbështetjen direkte me financim për çdo bashki, për të ngritur shërbime sociale për njerëzit në nevojë, për të përmirësuar dhe standardizuar shërbimet ekzistuese dhe për t’i ofruar një mundësi të munguar më parë, grave, fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi ndryshe. Pas procesit të aplikimit dhe vlerësimit të nevojave, jam sot me ju për të ndarë së bashku financimin me 1 milion dollarë të 14 shërbimeve te reja në 14 bashki të kualifikuara fituese, që përfitojnë nga Fondi Social”, – tha Manastirliu.