Izet Haxhia ka bërë një deklaratë të fortë kundër gjyqtares së Kushtetueses emëruar me dekret nga Presidenti Ilir Meta, duke thënë se ka qenë dëshmitar okular kur në vitin 2000, Marsida Xhaferllari, kur ishte gjyqtare në Fier, është takuar në një hotel në Turqi me një kriminel të rrezikshëm, të cilit ai i jep vetëm inicialet, F.K.

I ndodhur në qeli, Izet Haxhia ka autorizuar avokatin e tij Idajet Beqiri për ta bërë publike dëshminë e tij ku ngre pyetje ndaj gjyqtares Xhaferllari se cfarë lidhje ka mes saj dhe kriminelit? Izet Haxhia jep edhe emrin e hotelit ku ka parë Xhaferllarin me personin që ai thotë se është kriminel, madje thotë se të dy ata e kanë takuar Izet Haxhinë në hollin e hotelit, kur ky i fundit ishte në arrati në Turqi, para se të vetëdorëzohej së fundi e të ekstradohej në Shqipëri ku ka rinisur procesi gjyqësor për vrasjen e ish-dhjetoristit, Azem Hajdari.

“Ky dëshmitar okular, i cili ka parë me sytë e tij gjithçka dhe që ka biseduar sy më sy me protagonisten e ngjarjes, për shkak të pozitës izoluese që ka sot, më autorizoi të pyesim drejtpërdrejtë Marsida Xhaferrllarin: A keni mbajtur ju marrëdhënie të ngushta dhe a keni qenë e lidhur me botën më të rrezikshme të krimit në kohën që ishit gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier?

A keni udhëtuar dhe a keni qëndruar ju në ATAKOY të Stambollit në Hotelin Hollidey Inn, në vitin 2000 në Stamboll të Turqisë me një kriminel të rrezikshëm, F.K, sa ditë keni qëndruar aty dhe çfarë ju lidhte juve me të? A jeni takuar ju dhe F.K në barin e këtij Hoteli me dëshmitarin Izet Haxhiaj dhe çfarë keni biseduar me të?! Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë të poshtërohen dhe të denigrohen deri në këtë shkallë, sa të përtypin këtë akt kaq antimoral dhe të pashembullt të një palo presidenti që e bëri zhele institucionin më të rëndësishëm të shtetit”, shkruan avokati. (Shqiptarja.com)