Paulo Dybala u ka dhënë fund spekulimeve, duke e konfirmuar vendimin e tij të qëndrojë në Juventus së paku edhe një sezon. Klube të njohura evropiane ia kanë vënë syrin yllit argjentinas, i cili nuk po gjen hapësira të mjaftueshme në Torino Në Juventusin e ri të Maurizio Sarrit a do të ketë vend dhe hapësira për Paulo Dybalan?

Është kjo pyetja e çdo tifozi, pasi Bianconeri po përforcohen vazhdimisht. Ylli argjentinas e kaloi sezonin e kaluar kryesisht në bankinë, mbi të gjitha pas transferimit të Cristiano Ronaldos. Ky fakt bëri që të qarkullojnë zëra se ish-futbollisti i Palermos do të largohet nga Torino gjatë kësaj vere.

Manchester United dhe Paris Saint-Germain janë dy klubet më të interesuara për të, por nuk qëndron prapa as Interi. Sidoqoftë, Dybala ua ka bërë me dije të gjithëve vendimin e tij, me një deklaratë të shkurtë dhënë të përditshmes italiane “Corriere dello Sport”. “Unë e dua vetëm Juventusin”, ka thënë përfaqësuesi argjentinas, i cili do të rikthehet në Itali javën e ardhshme.

Pra, Dybala është i vendosur të luftojë dhe ta kërkojë një vend titullari në Torino, pasi beson se mund të fitojë trofe të rëndësishëm me Bianconeri.