Nga Alteo Hysi/

E shtuna e sotme e gjeti Shqipërinë me dy atmosfera paralele, tërësisht të kundërta me njëra tjetrën, si në përmbajtje, si në mesazhin që përçojnë.

Një opozitë e shfrenuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që shkelmonte dhe godiste me vare, dyert e Kryeministrisë, pronë publike e shtetit shqiptar. Vandalë që i vendosnin flakën institucionit, të verbuar aq shumë sa ngrinin flamurin e partisë, duke përdhosur atë të Shqipërisë.

Në anë tjetër, në Vlorë, në sheshin e Flamurit, vlonjatët zhvillonin komunikimin më qytetar dhe më demokratik, me Kryeministrin e Shqipërisë për nevojat e tyre.

Në Tiranë, disa të tërbuar dhe të organizuar, i dhanë gjithë Europës mesazhin se sa barbarë mund të jenë politikanët shqiptarë për interesa pushteti, ndonëse trupat diplomatike dhe përfaqësuesit e BE-së, bënë thirrje për të hequr dorë nga dhunimi i pronës publike.

Në Vlorë, me qindra qytetarë zgjodhën të bëjnë të kundërtën, duke i besuar arsyes që gjithmonë të çon te komunikimi dhe ballafaqimi, si mënyra më qytetare dhe europiane për të adresuar qoftë problemet, qoftë pakënaqësitë, qoftë edhe alternativat për një Shqipëri më të mirë. E ndoshta pjesa më e bukur e atij takimi, ishin fjalët e burrave dhe grave, tashmë të lehtësuar dhe gëzuar, që kishin gjetur zgjidhje për problemet e tyre, nga platforma e bashkëqeverisjes.

Përballë këtyre dy situatave që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra tjetrën, pyetja që të lind është se cila nga këto të dyja është Shqipëria që duam?

Ajo e rrëmujës, kaosit, përdhosjes së çdo vlere dhe norme demokratike? Apo ajo e rendit, e normalitetit, dialogut, respektimit të institucioneve dhe gjetjes së zgjidhjeve përmes tyre?

Shqipëria që duam, është ajo ku protesta nuk ushtrohet si vlerë e demokracisë por si mjet i partisë? E ku ushtarë të partisë, i vënë flakën Shqipërisë? Apo ajo ku qytetaria dhe llogaridhënia shoqërojnë marrëdhënien mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve?

Shqipëria që duam, është ajo e shkeljes së parimeve demokratike me dhunë të përshkallëzuar? Apo ajo ku demokracia frymëzohet nga pjesëmarrja e qytetarëve në qeverisje?

Shqipëria që duam, është ajo që pamë sot në Tiranë, një shfaqje brutale në emër të disa njerëzve që vetëm kanë vrarë dhe prerë, djegur dhe shkatërruar në këtë vend? Apo Shqipëria që u pa në Vlorë, ku politika u shfaq si shërbëtore e përulur e qytetarëve të zakonshëm?

Shqipëria që duam, nuk ka asnjë lidhje me kafshërinë, që na kthen pas në kohë, na nxin dhe na turpëron para kujtdo që Shqipërinë dhe shqiptarët i konsideron europianë. Vandalizmi dhe barbarizmi nuk ka asgjë të përbashkët me ato vlera europiane, që ne shqiptarëve na mbajnë lidhur me modelin e Bashkimit Europian.

Brutaliteti nuk ka qënë kurrë në ADN-në e shqiptarëve, të cilët nuk kanë pse ta bëjnë dhunën të tyren, thjesht dhe vetëm për hallet e Lulit dhe të Monikës.

Shqipëria e vërtetë është më e madhe se sa thjesht interesat e dy politikanëve që strehë të fundit kanë gjetur dhunën dhe më europiane se sa grushti i ushtarëve të opozitës. Dhe që Shqipëria e vërtetë të shkojë përpara dhe që shqiptarët të bëjnë Shqipërinë që duan, ka nevojë për qytetari në të bërit politikë.

Qytetari, e cila kalon nga të dëgjuarit e njerëzve të zakonshëm, mbajtjen e fokusit nga politikanët, tek shqiptarët dhe te hallet e tyre, në vend që hallet e tyre t’i përdorin për të zgjidhur të vetat!