“Basha të përballet me drejtësinë dhe të përgjigjet për financimin rus “, tha sot ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali në një studio televizive, e cila reagoi për marrjen të pandehur të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

“E sigurt është që ne nuk kemi ndër mend të bëjmë atë që bën Lulzim Basha përditë në dalje në foltore dhe akuza ndaj kundërshtarit, shpalljen e pretencave, realizimin e gjyqeve publike, ku kërkojnë dënimin me kaq dhe aq vjet, të njërit apo tjetrit eksponent të mazhorancës, një përpjekje që e dëmton politikën në themelin e saj, sepse tenton të minojë besueshmërinë te qytetarët”, tha Spiropali.

“Ne nuk e bëjmë këtë dhe nuk e kemi bërë edhe pse faktet janë kokëfortë. Ne respektojmë institucionet. Është një vendimi i prokurorisë pas një hetimi goxha të gjatë, për të marrë të pandehur zotin Basha dhe funksionarë të tjerë të Partisë Demokratike. Në dijeninë time, akuzat janë për pastrim parash në një shumë jo të vogël, falsifikim dokumentesh. Por ne nuk jemi prokuror dhe as gjykatës. Por le të bëjnë institucionet detyrën dhe ai të bëjnë detyrën, të bëjë liderin e opozitës, të vijë me alternativë dhe t’i lërë gjyqet publike. Pra, të bëjë liderin e opozitës të ketë një alternativë, të diskutojë për politika, të ngrejë çështje dhe t’i lërë gjyqet publike për kundërshtarët, për më tepër nën barrën e rëndë të kësaj përgjegjësie, minimalisht morale dhe pastaj penale për t’u përgjigjur, le të shkojë dhe të provojë pafajësinë”, tha Spiropali.

Po ashtu, Spiropali shtoi se është hipokrizi të flasësh publikisht për njerëz të tjerë që nuk kanë as çështje në prokurori kur vetë je strehuar nga hetimet dhe çështjet konkrete penale. “Prokuroria e ka shpallur të pandehur duhet të shkojë në gjykatë. Për ne, të gjithë njerëzit që nuk janë provuar të fajshëm janë të pafajshëm. Ka një problem moral. Duhet të përgjigjet. Ne nuk jemi nga ata që e copëtojmë publikisht tjetrin pa u marrë vendimi, ama kërkojmë një sistem hetimi të pandikuar”, tha Spiropali.

“Nuk është hera e parë që Lulzim Basha përballet me akuza të tilla të cilat më herët janë mbyllur për procedurë. Nuk dua të spekuloj mbi vizitat. Diplomati dixhital i di të gjitha. Ne nuk duam ta konkurojmë. Dosja nuk ka nisur nga prokuroria jonë, por në SHBA”, u shpreh Spiropali.