FIFA dënoi dje ashpër aludimet e legjendës argjentinase të futbollt, Diego Maradona, në lidhje me arbitrimin e ndeshjes Angli-Kolumbi, për 1/8-at, ku “Tre Luanët” arritën kualifikimin falë 11-metërshave.

Në një emision televiziv në Venezuelë, Maradona kishte vlerësuar se kolumbianët kishin qenë viktima të një “vjedhje monumentale” nga ana e arbitrit amerikan, Mark Geiger, në lidhje me një 11-metërsh të dhënë për një faull të shkaktuar nga Carlos Sanchez ndaj Harry Kane (në minutën e 57-të).

“FIFA vazhdon të jetë e vjetër dhe me hile”, kishte shtuar më pas ylli argjentinas.

“FIFA është e zhgënjyer të lexojë deklarata të tilla nga ana e një lojtari që ka shkruar historinë e sportit tonë”, shprehet me keqardhje ky institucion.

“Komentet dhe aludimet janë krejtësisht të pabazuara dhe të papërshtatshme”, shprehet FIFA që dënon ashpër kritikat mbi performancën e arbitrave që ajo e konsideron shumë pozitive.

Përveç Maradonës, edhe kapiteni i Kolumbisë, Radamel Falcao kishte vënë në dyshim paanshmërinë e arbitrit.

Anglia përfitoi një 11-metërsh pas një faulli të dukshëm të shkaktuar nga Carlos Sanchez, të kthyer në gol nga Harry Kane (minuta 57-të). Yerry Mina barazoi në fund të ndeshjes (minuta 93-të) por anglezët arritën të fitojnë falë gjuajtjeve të 11-metërshave (4-3).