“Flavio”, një pikë grumbullimi frigoriferike në Strum të Fierit, e cila i vjen në ndihmë fermerëve të zonës së Fierit dhe të Beratit, falë një fondi prej 18 milionë lekë, të përfituar nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, ka zgjeruar aktivitetin e tij të grumbullimit të produkteve bujqësore. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit dhe deputet i Qarkut, Gramoz Ruçi dhe Bledi Çuçi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural panë nga afër këtë sipërmarrje, tashmë të rinovuar me një kapacitet prej 200 tonësh.

“Në ambientin e ri janë investuar prej 18 milionë lekësh të reja nga AZHBR i cili shërben për të grumbulluar fruta – perime, të cilat shkojnë për eksport”, – u shpreh Frida Krifca, drejtoreshë e AZHBR.

Sipërmarrësit, Floriani dhe Qemali u shprehen se ky investim do t’i bëjë ata edhe më konkurrues në tregjet ku ata eksportojnë.

“Kemi 200 tonë hapësirë frigoriferike të ndara në dy dhoma dhe sigurisht kjo do na sigurojë produkte sa më të freskat për konkurrencën në tregjet ku operojmë. Ne çojmë që nga Rumani, Slloveni, Çeki, në Bosnje kemi një nga miqtë tanë që punojmë atje, Malin e Zi dhe në Serbi. Bëjmë grumbullim, ambalazhimin dhe ruajtjen për ta mbajtur sa më të freskët në frigorifer. Nga ruajtja këtu, produkti shkon fiks siç e ngarkojmë të freskët”, – tha njëri nga sipërmarrësit.

Kryeministri vlerësoi këtë një investim me përfitim edhe për zonën, ku janë të regjistruar 400 fermerë, me të cilët, siç pohuan sipërmarrësit punojnë rregullisht dhe kanë kontrata 3 vjeçare. Kryeministri theksoi se ritmet e rritjes së kësaj zone, falë incentivave lehtësuese për fermerin, janë të larta.

“Është hap i mirë përpara. E mira nuk ka fund, por kjo zonë këtu është e jashtëzakonshme për nga ritmet e rritjes”, – tha Kryeministri Rama.