Drejtoria Rajonale e AKU Fier, gjatë këtyre ditëve (21-23 tetor) ka kryer 30 kontrolle tek operatorët e biznesit ushqimor (me origjinë shtazore, joshtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve).

Nga kontrollet e ushtruara, inspektorët kanë marrë 6 mostra për kryerjen e analizave laboratorike; kanë vendosur 8 masa administrative “Paralajmërim” dhe u kanë lënë detyra për korrigjimin e mangësive të konstatuara gjatë kontrolleve të kryera.

Masat administrative i referohen shkeljeve ligjore që lidhen me: Rinovimin e analizave të ujit, rinovimin e librezave shëndetësore të punonjësve, rinovimin e planit DDD, ndarjen korrekte të produkteve ushqimore nga ato industriale, mungesa e ujit të ngrohtë etj.

“Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit. “Denonco” është rubrika ku secili prej nesh mund të denoncojë çdo cenim të sigurisë ushqimore, shkelje ligjore apo raste korruptive që cenojnë interesin e përbashkët. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë pandërprerë kontrollet rigoroze në të gjithë vendin me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, citon njoftimi i AKU në Fier.