Asnjëherë më shumë sesa këtë vit në zyrën e Ardit Gjebresë nuk kanë mbërritur kërkesa artistësh të huaj për të marrë pjesë ne “Kënga Magjike”. Jo një e dy: plot dhjetë këngëtarë të huaj do të konkurrojnë në skenën shqiptare për çmimin e madh, por dhe për shumë nga çmimet e këtij festivali, apo edhe thjesht për të prodhuar një këngë, nga ato që bëhen hit, siç ndodh vetëm në këtë festival. Shumica prej këtyre artistëve, do të shfaqen të dielave përpara jurisë profesioniste, që përbëhet nga: Armend Rexhepagiq, Jonida Maliqi, Arben Skënderi, Enkel Demi si dhe çifti DJ Miss Rose dhe DJ Stone.

Për ta bërë konkurrimin më të drejtë, por dhe për të krijuar pak suspansë dhe ca më shumë spektakël, Ardit Gjebrea ka vendosur që këtë vit të mos i prezantojë paraprakisht artistët e kategorisë “New Artist”. Ata do të dalin para jurisë dhe publikut, do të performojnë, në shqip a në gjuhë të huaj dhe vetëm gjatë diskutimeve të Jurisë do të prezantohen.

Pa dhënë shumë detaje për vendet nga do vijnë, Gjebrea ka lënë të kuptohet që italishtja dhe greqishtja do dëgjohen në skenën e këtij festivali, por edhe anglishtja që duket që do të jetë gjuha e zgjedhur për këngët e shumë prej të huajve. Armend Rexhepagiq sot në “Të dielën shqiptare” duke e përgëzuar këtë risi tha që mesa duket po synohet që Festivali të kthehet në internacional. Gjebrea nuk e ka komentuar më gjatë, por pas 21 vitesh organizimi të këtij festivali ambicja nuk kishte se si të mbetej kurrsesi brenda kufijve të këngës shqip.