Prof. Asoc. Shkelqim Daja

Mbrëmjen e datës 22 shtator 2019 një lajm spekulues u shpërnda në rrjetet sociale. Sipas këtij lajmi në orën 23.30 do të kishte një tërmet të shkallës 6 ballë. Nga padija e njerëzve që shpërndajnë lajmin mbeta i befasuar sepse nuk po dija si t’i shpjegoja djalit tim, të shqetësuar, shkallën 6 ballë. Në fakt ka një konfuzion, edhe në radhët e specialisteve të ndryshëm, lidhur me madhësitë që karakterizojnë tërmetin, në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti. Bazuar ne eksperiencën qe kam ne fushën e studimeve gjeologo-inxhinierike dhe te studimit te hazardeve (rreziqeve) natyrore, U mundova t’i shpjegoj djalit mënyrën e matjes se “madhësisë” ose ashpërsisë së tërmetit. Mendimi i parë që më erdhi ishte që t’i thosha që tërmeti me INTENSITET 6 ballë MSK 64 le të bjerë pasi ai neve nuk na dëmton sepse ndërtesat në të cilat ne banojmë janë të llogaritura për t’i rezistuar një tërmeti të tille. Mirëpo dyshimi që më lindi ishte po sikur të jetë tërmet me magnitudë 6 (Richter)??. Djali më shikonte në sy dhe priste përgjigje….Kushërinjtë, që kishin lënë banesën, i thoshin pse nuk po dilni nga shtëpia? Të njëjtën gjë bënin edhe shokët e rrjeteve sociale. Pasi isha vendosur që t’i thosha djalit se ne do qëndrojmë në shtëpi sepse lajmi i shpërndarë është një idiotësi, në orën 22.08 ndjeva lëkundjen, me magnitudë 4.4 sipas IGJEUM, dhe fillova të mendoj. Ore, mos këto që unë di nuk mjaftojnë për të siguruar fëmijët e mi?!!! Ndërkohë djali u përgatit për të dale (u vesh), ndërsa unë qëndroja në divan dhe më shoqëronte dyshimi se mos po beja gabim që nuk po dilja. Pas kaloi ora e vendosur në rrjetet sociale për tërmetin mora një mesazh nga vajza e cila më pyeste se si e përjetova tërmetin 6 ballësh???.

Kjo dilemë që më shoqëroi në ato momente më bëri të mendoj se duhet të shkruaj dy fjale lidhur me tërmetet, çfarë përfaqësojnë ata si dukuri gjeologjike natyrore, si matet madhësia e tërmetit, pra cilat janë madhësitë që karakterizojnë ashpërsinë e tërmetit, dhe në fund cila është mundësia e mbrojtjes nga tërmetet. Me këtë të fundit dua të them që jo se jemi në gjendje të parashikojmë se kur do bjerë tërmeti, ku do bjere dhe sa i ashpër do jetë. Madje pyetja më e vështirë, e pa zgjidhur as në Japoni dhe Amerike është KUR?

Në fakt tërmetet përfaqësojnë një dukuri natyrore, e lidhur, theksoj me kontekstin gjeologo-gjeodinamik të kores se tokës. Bëhet fjalë për një çlirim energjie të grumbulluar në brendësi të Kores se Tokesh, e cila shoqërohet me një deformim mbetës në vendin e ndodhjes (vatra ose hipoqendra e tërmetit) dhe me përhapjen e valëve sizmike në largësi, të cilat reflektohen me lëkundje të tokës dhe të objekteve inxhinierike. Këtu dua të shtoj se tërmetet janë shfaqje në sipërfaqe (nëpërmjet lëkundjeve) të proceseve gjeologjike endogjene, që do të thotë se ata lidhen me dinamikën dhe ndërtimin e brendshëm të Tokës. Proceset e jashtme atmosferike nuk kane asnjë ndikim ne lindjen e tërmeteve, me përjashtim të rasteve të rralla të tërmeteve shumë të cekët.

Cilat janë madhësitë ose parametrat që karakterizojnë tërmetin?? Këtu, duke i kërkuar ndjesë specialisteve të fushës do përpiqem të jem “semplist” pa hyrë në detaje shkencore. Këtë aspekt me specialistet mund ta diskutojmë veçmas.

E para që duhet marrë në konsiderate është energjia e çliruar në vatër. Kjo energji harxhohet një pjesë për deformim në vatër dhe pjesa tjetër për shkaktimin e lëkundjeve të tokës të cilat janë më të mëdha pranë vatrës dhe zvogëlohen duke u larguar nga vatra. Madhësia që shpreh energjinë e çliruar në vatër (më gjerësisht e përdorur), pavarësisht nga vendi i vrojtimit është magnituda. Kjo madhësi është unike pavarësisht se ku matet. Ajo shprehet me shkallen Richter dhe luhatet nga 1 – 9. Përkufizimi i kësaj madhësie është i tille që pranon vlera të pakufizuara (nga minus infinit në plus infinit). Por vlera 9 është pranuar sepse tërmete me magnitudë me të madhe se 9 nuk janë vërejtur në historinë e kores se tokës. Megjithatë vitet e fundit në Kili është matur një magnitudë 9.15. Llogaritja e magnitudës bëhet duke u bazuar në regjistrimet e lëkundjes në stacionet e vrojtimit dhe bazohet në amplitudën maksimale të zhvendosjes që regjistrohet nga sizmografët. Kjo nuk lë vend për interpretime dhe është llogaritje e thjeshtë (pa hyrë në detaje).

Një madhësi tjetër, e njohur për publikun e gjere është Intensiteti, i cili shprehet me shkallën Merkali – (Mercalli MSK 64). Intensiteti luhatet nga 1 në 12 dhe vlerësohet duke u bazuar në 3 aspekte kryesore:

Perceptimin e publikut
Dëmtimet në orenditë shtëpiake dhe
Dëmtimet në objektet inxhinierike, dhe në mjedisin gjeologjik.
Intensiteti i përkufizuar në këtë mënyrë nuk është i njëjtë gjithandej. Si rregull i përgjithshëm ai është me i larte ne zonat pranë epiqendrës dhe zvogëlohet duke u larguar prej saj.

Tërmeti i orës 16.05 date 21.09.2019

Specialistët e fushës në deklarimet e tyre në mënyrë korrekte janë shprehur për vendndodhjen e tërmetit, magnitudën e tij 5.8 dhe intensitetin e tij në epiqendër. Këtu më duhet të theksoj se konvertimi nga magnitudë (madhësi e llogaritur në baze të regjistrime të valëve në stacionet e vrojtimit) në intensitet bëhet sipas një rregulli të thjeshtë. Puna është si transmetohet lëkundja duke u larguar nga vendi i ndodhjes. Sipas një rregulli të përgjithshëm sa më shumë largohemi nga epiqendra aq më shumë zvogëlohet amplituda e zhvendosjeve. Pra, nëse nisemi nga çfarë ndodhi dhe dëmtimet e konstatuara, intensiteti në qytetin e Tiranës nuk ka qenë më i lartë se 6 ballë MSK 64, gjë e parashikuar në projektimet e objekteve inxhinierike. Bile objektet inxhinierike në Tiranë janë projektuar t’i rezistojnë edhe tërmeteve me intensitet 7-8 ballë MSK-64. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme se si arritëm të dalim pa dëmtime ose me dëmtime të vogla. Pra për intensitetin e vërejtur në Tiranë objektet inxhinierike kanë qenë të “detyruara” të rezistojnë.

Por ka pasur edhe objekte që janë dëmtuar me këtë intensitet që me një përqindje të lartë lidhen me cilësinë apo standardet e ndërtimit të objekteve inxhinierike. Pra me fjalë të tjera ajo që ka ndodhur nga pikëpamja gjeodinamike ose sizmotektonike nuk është jashtë parashikimeve. Problemi duhet kërkuar në standardet e ndërtimit.

Mbrojtja nga tërmetet

Do ishte mirë që njerëzimi të kishte mundësi të parashikonte vendin e ndodhjes së tërmeteve, madhësinë e tyre dhe mbi të gjitha kohën e ndodhjes. Kjo e fundit është gjëja më e vështirë. Pra pyetjeve të cilave duhet t’iu përgjigjemi janë: ku, sa i ashpër dhe kur?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve komuniteti i studiuesve që merren me këtë fushë ka hartuar metoda studimi për të projektuar objekte inxhinierike që t’i bëjnë balle një lëkundjeje të caktuar (tërmeti të caktuar). Këto metoda shprehen me Kodet e Projektimit me Masa Antisizmike. Në vija të përgjithshme këto kode shprehin madhësinë e tërmetit të shprehur në terma të lëkundjes (zhvendosje, shpejtësi, nxitim) në një zonë te caktuar dhe përgjatë një intervali kohe të caktuar që korrespondon me kohëzgjatjen e shfrytëzimit të objekteve inxhinierike. Sa më të lartë të jenë parametrat e lëkundjes që ne pranojmë aq më të sigurt janë objektet inxhinierike. Mirëpo këtu del një problem i madh që lidhet me kostot afatgjata të projekteve inxhinierike sepse ato rriten me rritjen e lëkundjeve të pranuara. Këtu lind “konflikti” i pashmangshëm midis investitorëve dhe inxhiniereve. Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën në përgjithësi, investitorët nuk marrin vesh nga projektimi dhe janë të interesuar për efektivitetin e investimit në terma të fitimit ekonomik, ndërkohë që inxhinieret janë të interesuar të projektojnë objekte të sigurta nga pikëpamja e qëndrueshmërisë. Pra nëse inxhinieret duan të projektojnë me parametra të lartë lëkundjeje investitorët duan të ndërtojnë sa më lirë. Ky konflikt zgjidhet vetëm me hartimin e rregullave të qarta në formën e ligjeve apo udhëzimeve të projektimit. Pra niveli i lëkundjeve të projektimit, pas një konsensusi të gjere, gjeologë, inxhinierë, grupe interesi, ekonomistë etj., duhet siguruar me ligj…..

Gjendja në Shqipëri

Në vendin tonë arritjet në fushën e studimit të tërmeteve janë mjaft të mira. Bazuar në ndërtimin gjeologjik të Shqipërisë, dhe në regjistrimet e tërmeteve për një kohë te gjatë është ndërtuar modeli sizmotektonik, janë përcaktuar burimet e tërmeteve, tipologjia dhe potenciali i pritshëm sizmik i tyre. Mangësi ka në zbatimin e këtyre arritjeve në projektimin e objekteve inxhinierike. Sot, në vendin tonë është në fuqi Kodi i Projektimit me Masa Antisizmike KTP -2 -1989. Për kohën e hartimit ky kod reflekton të gjithë nivelin e arritjeve të studimeve të asaj kohe, por për vetë moshën e tij, me lejoni të them se duhet modifikuar dhe përshtatur me nivelin e studimeve të kohëve të sotme. Specialistet e fushës kanë bërë studime që lidhen me metodat e vlerësimit të Hazardit Sizmik por që ngelen në kuadrin e studimeve dhe duhen shndërruar në Norma (kode) projektimi që duhet të reflektojnë nivelin e sotëm të njohurive në këtë fushë në botë, por, e theksoj edhe në Shqipëri, që nuk mungon…………