Në mungesë të zhvillimeve politike në këtë fund muaj të nxehtë të gushtit, një portal periferik i lidhur me opozitën hodhi në treg debatin mbi të ashtuquajturin udhëtim luksi të ministres së Drejtësisë në Bruksel.

Debati përqendrohet rreth një shpenzimi 700 euro, në total për dy netë qëndrimi në një hotel për ministren dhe stafin e saj.

Në artikujt e qarkulluar, anashkalohet tërësisht fakti se një prej vendimeve të para të mandatit të parë të qeverisë Rama ishte ndryshimi i ligjit për procedurat e prokurimeve publike (VKM Nr. 914 datë 29.12.2014), çka përcaktoi një tavan të qartë shpenzimesh duke i dhënë fund historisë së udhëtimeve në biznes klas e në hotele luksi për përfaqësuesit e qeverisë.

Përtej faktit që në këtë takim ministrja nuk udhëtoi për qejf, por për të përfaqësuar shtetin shqiptar, me një kosto objektivisht të pranueshme, të dhënat tregojnë se Shqipëria, ka nivelin më të ulët të shpenzimeve publike në rajon për udhëtimet e qeveritarëve.

Diçka e tillë vërtetohet nga një fakt i thjeshtë. Me përjashtim të Kosovës, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk përdor avionë personalë, në pronësi të shtetit, për udhëtimet e liderave apo anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Serbia

Serbia ka një njësi të quajtur “Srbska Avio Service”, me pilotë të trajnuar, të cilët shërbejnë vetëm për të transportuar kryeministrin, presidentin dhe ministrat.

Në total, kjo njësi ka në përdorim pesë avionë. Nga më modernët “Dassault Falcon 50”, prodhim francez, tek “Learjet 31A”, prodhim kanadez, për ministrin e Mbrojtjes një helikopter specific “Sikorsky S-76”, prodhim amerikan, një “Embraer Legacy 40”, prodhim brazilian dhe një avion “Yakovlev Yak-40”, prodhim rus.
Nga një kërkim në internet rezulton se për blerjen e këtyre avionëve, taksapaguesit serbë kanë paguar:

“Dassault Falcon 50” – 3,5 milionë USD
Learjet 31A – 4,5 milionë USD
Sikorsky S-76 – 13 milionë USD
Embraer Legacy 40 – 21 milionë USD
Yakovlev Yak-40 – Trashëguar nga ish-Jugosllavia, me vlerë 1 milionë USD në vitin 1972.

Totali: Në total, Serbia ka shpenzuar 46 milionë USD vetëm për blerjen e avionëve për udhëtimin e anëtarëve të saj të qeverisë. Këtu përjashtohen kostot për mirëmbajtjen, karburantin, rrogat e stafit apo taksat aeroportuale, që me shumë gjasë arrijnë në të paktën 1 mln USD shtesë në vit

Mali i Zi

Vendi më i vogël i Ballkanit Perëndimor, fqinji ynë me 620 mijë banorë, përdor gjithashtu një avion luksoz biznesi për udhëtimet e qeveritarëve.

Bëhet fjalë për “Learjet 45 VIP”, prodhimin e “Bombardierit” kanadez, i cili ka një vlerë tregu prej 13,2 milionë USD.

Maqedonia Veriore

Një tjetër fqinj i ynë, si Maqedonia e Veriut, gjithashtu transporton qeveritarët e saj me avionë qeveritarë, edhe në këtë rast versione biznesit të “Learjet”.

Avionët në dispozicion të qeverisë maqedonase, të dy prodhim kanadez, janë:

Laerjet 25B – Prodhim i vitit 1975, me vlerë të dikurshme tregu prej 200 mijë USD, e me vlerë aktuale rreth 1,2 milionë USD

Learjet 60 – Modeli më i ri, me vlerë prej 13 milionë USD

Në total, 14.2 milionë USD, duke përjashtuar përsëri shpenzimet vjetore për mirëmbajtjen, pagat, taksat aeroportuale dhe karburantin

Greqia

Duke kaluar tek fqinji ynë jugor, kostot rriten në mënyrë të frikshme. Greqia përdor një avion prestigjioz “Gulfstream V” të blerë në vitin 2003, në prag të Lojrave Olimpike.

Më pas janë dy Embraer, chartera biznesi, një Airbus A340-300s, për udhëtimet e gjata, si dhe një Embraer tjetër 30 vendësh, i marrë hua nga Forcat Ajrore.

Greqia ka pasur në dispozicion edhe një avion “Dassault Falcon 900”, i cili u përfshi në një aksident në vitin 1999, ngjarje që i kushtoi jetën Ministrit të Punëve të Jashtme, Janis Kranidiotis.

Në total, Greqia ka në hangarët e saj, për qëllim transportin e qeveritarëve këta avionë.

Gulfstream V – 36 milionë USD
Airbus A340-300 – 265,1 milionë USD
Avionët Embraer të paspecifikuar

Totali: Mbi 302 milionë USD

Kroacia

Një tjetër vend i rajonit, Kroacia, ashtu si dhe Bosnja, përdorin zgjidhje me ekonomike më transportin VIP të qeveritarëve, edhe pse kjo përsëri ndodh përmes avionëve në pronësi të shtetit kroat.

Kroacia përdor një avion “Challenger CL-604 9A”, për transportin e liderave, si dhe dy helikopterë prodhim rus, “Mil Mi-8-1”, për transportin në vende të afërta.

Avioni në dispozicion, një charter biznesi, kushton 32.5 milionë USD.

Bosnja dhe Hercegovina

Bosnja gjithashtu operon dy avionë të vegjël VIP, modeli “Cessna Citation 1” dhe “Cessna Citation Jet”, i pari një model i vjetër me një kosto të përcaktuar, trashëguar nga ish-Jugosllavia dhe i dyti, një avon më i ri, me vlerë prej 5,5 milionë USD.

Bullgaria

Transporti i liderave bullgarë organizohet nga detashmenti i 28-të, i Forcave Ajrore, në bashkëpunim me një kompani shtetërore, që në vitin 2018 dispononte dy avionë dhe tre helikopterë.

Në total, Bullgaria operon këto avionë:

Airbus A319 – 89,6 milionë USD
Dassault Falcon 2000 – 30 milionë USD
2 Mil-Mi 8s – Prodhim i vjetër rus
Augusta AW-109

Totali: Mbi 120 mln USD, pa kostot vjetore përfshirë

Rumania

Rumania përdor tre avionë, një “Boeing 707” për presidentin, një “BAC 1-11” për Kryeministrin, një helikopter “SA-365 Dauphin”, për udhëtimet e brendshme dhe një “Airbus A310-300”, i marrë me qera nga kompania vendase “TAROM”, sa herë paraqitet nevoja.

Boeing 707 – 63 milionë USD
BAC 1-11 – Prodhim i vitit 1972, 5,2 mln USD vlera e sotme e tregut
SA 365-Dauphin – 7,5-10 mln USD
Airbus A310-300, në pronësi të “TAROM”, kostoja e qerasë e paspecifikuar

Në total, Rumania ka shpenzuar mbi 100 mln USD për avionët qeveritarë, plus shpenzimet vjetore

Në total

Përtej rajonit, deri në vitin 2018, në botë ishin 139 shtete që transportinin liderat e tyre me avioinë qeveritarë. Përtej arsyeve praktike dhe atyre të sigurisë, transporti me avionë qeveritarë është i lidhur edhe me imazhin dhe prestigjin e një vendi, siç vërehet qartë nga fakti se sa më i fuqishëm vendi, aq edhe më të mëdhenj apo pompozë janë avionët në përdorim të qeverisë. “Air Force One”, për presidentin e SHBA-ve, është rasti më klasik.

Në rajon, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, çdo vend tjetër përdor chartera apo avionë të mirëfilltë qeveritarë për transportin e liderave. Sot për sot, Shqipëria është midis atyre pak vendeve, rreth 50 në botë, që për transportin e liderave të tyre përdorin avionët e linjës dhe mbase i vetmi rast në botë, ku transporti i liderave në biznes klas është i ndaluar./Lexo.al