Gjiganti Facebook ka njoftuar risinë e tij, një hapësirë për njohje të quajtur, Facebook Dating.

Shërbimi më i ri i platformës, lejon çdo përdorues mbi 18 vjeç që të krijojë një profil për njohje. Ky profil është i lidhur me llogarinë tuaj kryesore në Facebook, por gjithsesi miqtë tuaj nuk do e shohin, pasi Facebook Dating ju lejon që të njiheni me “friends of friends” dhe jo me miqtë tuaj në Facebook.

Momentalisht Facebook Dating, është aktiv vetëm në Amerikë dhe Kanada, aty ku dhe po testohet mbi sigurinë, pasi gjiganti i rrjeteve sociale është kritikuar në lidhje me mosrespektimin e privatësisë.

Opsioni do të bashkëngjitet në të njëjtin vend me Events, Groups, Marketplace, ndërsa raportohet se funksionon si të gjithë aplikacionet e tjerë të njohjeve. Ju do të vendosni të dhënat dhe interesat tuaja dhe në vijim programi do t’ju sugjerojë njerëz bazuar në preferencat tuaja.

“Vetëm emri dhe mosha do të kalojnë automatikisht nga profili juaj në Facebook. Të gjitha informacionet e tjera si identiteti gjinor dhe seksual, interesat, foto etj do të vendosen nga ju.”, u shpreh shefi i privatësisë së Facebook, Erin Egan.