Nga Federico Fubini/

Për shkak të një shakaje të fatit, nga ato për të cilat Europa është mjeshtre, tridhjetë vitet e ribashkimit të saj duket se janë të destinuara të përkojnë – ditë më ditë – me një vjeshtë të paparashikueshme, si pak të tilla në historinë e viteve të fundit. Tridhjetë vjet më parë, në fillim të nëntorit, ra Muri i Berlinit. Ishte kulmi i tre muajve gjatë të cilëve njëqind milionë njerëz dolën nga komunizmi për të shkuar drejt një bote me kufij pothuajse të padukshëm.

Tridhjetë vjet më vonë duket se Evropa ka vendosur ta festojë këtë moment duke i kujtuar vetes se çfarë do të thotë e kaluara e saj: frakturat e brendshme të shoqërisë të prodhuara nga urrejtja ideologjike, kufijtë me kangjella të ulura, pasiguria. Nëse me të vërtetë Italia do të votojë në tetor ose në fillim të nëntorit, në ditët kur tridhjetë vjet më parë dhjetëra mijëra berlinezë nisën përpjekjet për të rrëzuar Murin (në foto: momenti i ndërtimit të tij, foto e 13 gushtit 1961), do ta bëjë këtë në një vjeshtë nga e cila sot askush nuk mund të thotë se çfarë Evrope mund të dalë.

Sepse rikthimi i kufijve të dukshëm, të ngadaltë dhe të vështirë për t’u kapërcyer nuk është thjesht një metaforë. Do të ndodhte për herë të parë që nga viti 1989, midis vendeve evropiane, nëse me të vërtetë Brexit, shkëputja e parë e një shteti nga Bashkimi Evropian, do të jetë me të vërtetë “i vështirë” siç kërcënon kryeministri i ri në Londër, Boris Johnson, për 31 tetorin. Kjo do të thoshte sidomos rikthimin e një kufiri të shtrenjtë doganor në Dover dhe përtej Kanalit.

Kjo do të ndante Irlandën, midis Republikës në Jug dhe Mbretërisë në Veri, duke shembur shtyllën e parë të marrëveshjeve të paqes të arritur njëzet e dy vjet më parë. Një tronditje ekonomike, shkëputja pa marrëveshje e ekonomisë së tretë evropiane dhe kapitalit financiar të kontinentit, do të përkonte kështu me një shok politik: nga Irlanda e Veriut në Skoci, një Brexit i vështirë do të vinte në dyshim integritetin territorial të Mbretërisë së Bashkuar: demonstrimi i radhës – siç zbulon edhe rasti katalanas, siç argumentonte Umberto Bossi në vitin 1994 – se përkatësia në Europën e Bashkuar është garancia më e mirë e bashkimit territorial të vendeve që e përbëjnë atë.

Është e mundur dhe ka gjasa, që Brexit të ndiqet nga zgjedhje të reja në të cilat Boris Johnson do të kërkojë një shumicë nacionaliste. Por Britania e Madhe dhe Italia nuk janë dy heretikët e mëdhenj evropianë që shkojnë në votime. Në mes të tetorit, Polonia do ta bëjë të njëjtën gjë, demografikisht vendi i pestë i BE-së post Brexit, i ndarë ideologjikisht në linja të ngjashme me ato italiane ose angleze: nacionalistët kundër kozmopolitanëve, identitarët kundër liberalëve, partizanët e shoqërisë së mbyllur dhe homogjene kundër atyre që kërkojnë tolerancë dhe diversitet. Të parët, nacionalistët në pushtet të partisë Ligj dhe Drejtësi, janë të favorizuar. E vetmja gjë e sigurt sot, si tridhjetë vjet më parë, është se ajo që ndodh në Poloni nuk ndalet në Poloni: është një shenjë kohe, mbase një shenjë e së ardhmes.

Në vitin 1989 dhe në vitet në vijim, Amerika e George Bush (senior) (dhe më pas e Bill Klinton, djalit të Bushit, dhe ajo e Barack Obamës) i ndoqi ngjarjet në Evropë me një përparësi: ta mbante atë të bashkuar dhe aleate të vetes. Për herë të parë, Amerika e Donald Trump nuk kufizohet vetëm te simpatia për forcat e përçarjes ose nacionalizmit: nga sovranët e Italisë deri te Boris Johnson, te kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili e quan veten “joliberal”.

Trump planifikon të bëjë më shumë: të hapë një luftë tregtare me Bashkimin Evropian, duke goditur në zemër industrinë e Italisë, Francës dhe Gjermanisë. Procedurat janë të gatshme në Uashington për të futur në fuqi tarifat e reja të importit për makinat evropiane që nga nëntori. Hakmarrja e Shtëpisë së Bardhë për subvencione ndaj industrisë aeronautike evropiane (ku edhe Italia është në rreshtin e dytë) është edhe më e përparuar. Zhvillime të ngjashme mund të ndodhin edhe me produktet bujqësore dhe masa të tjera, sepse disa qeveri evropiane (përfshirë Italinë) guxojnë të tentojnë imponimin e taksave për gjigantët amerikanë të teknologjisë.

Trump do të përballet me përplasjen me Brukselin veçanërisht nëse ndërkohë ai ka arritur një marrëveshje me Kinën. Por nuk është një moment i mirë për Evropën. Në Itali ekonomia mbetet e paralizuar, edhe për shkak të pasigurisë politike. Industria gjermane, në recesion për ca kohë, po jep sinjale të këqija këtë verë dhe mbase nuk kemi të bëjmë thjesht me një virus kalimtar: ekonomia e parë në Evropë është zbuluar vonë në kurbën teknologjike, nga makina elektrike deri te rrjetet 5G, ndërsa për eksportet duket se u ka ardhur fundi tridhjetë viteve të lavdishme të globalizmit që filluan pikërisht në ato netët e vjeshtës 1989.

Pikërisht në një sfond të tillë, Italia shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, me një buxhet të vështirë publik dhe gjëra që duhen bërë nga e para. Evropa vjen me drejtues të rinj në detyrë që nga 1 Nëntori, si në Komision, ashtu edhe në Bankën Qendrore Evropiane. Të dyja, Ursula von der Leyen dhe Christine Lagarde, të vlerësuara shumë. Të dyja duhet të vihen në provë në një Evropë ku çdo hap i rremë, tridhjetë vjet më vonë, mund të kushtojë me të vërtetë shtrenjtë. / Corriere della Sera-TemA TV /