Nga Panajot Zoto/ “Nuk më kishte ndodhur ndonjëhere që, në shtëpinë time, një vizitor i huaj të shprehej me superlativa për qytetin tim, Sarandën.

Ai ishte polaku Kamil Benebek. Erdhi në Sarandë nga Londra (ku punon me një familjarin tim), me një axhendë disi të pa zakontë. Bashkë me bashkëshorten, stjuardesë në një nga aeroportet e Londrës, dhe me djalin 10 vjeçar, Michael, do të qëndronin një javë me pushime në Sarandë, pastaj do shkonin në vendlindjen e tyre, Poloni.

Më nderuan me një vizitë të paplanifikuar në shtëpi, dhe Kamil, me intuitën që karakterizon një europian, i thotë Marjos që e shoqëronte, të mos shqetësoheshim ngaqë shtëpia ishte paksa rrëmujë dhe e zhurmshme nga “zënkat” e nipëve e mbesave, që si çdo verë kthehen nga emigracioni dhe kalojnë pushimet me gjyshërit në Sarandë.

Ime shoqe, sipas zakonit, serviri pije dhe pyeti në se polaku donte ndonjë birrë.No, no.. tha ai, RAKI, RAKI. Ktheu gotën dhe shprehu me një mimikë dalluese kënaqësi. Unë i thashë se polakët pinë birrë, se dallohen edhe këtu si birrë pijës nëpër lokalet e natës. Ai qeshi dhe e miratoi si fakt, por tha se rakia bënte dallim…

I thashë se në qytet kishte shumë turistë nga Polonia dhe e pyeta në se kishte takuar ndonjë bashkombas. Tha se kjo ishte e vërtetë, dhe shtoi se si vet ai, me sa ishte takuar, ishin mrekulluar nga bukuria e këtij qyteti, që të josh e të bën për vete, sidomos me shumëllojshmërinë e dritave gjatë orëve të mbrëmjes.

Saranda e heshtur gjatë muajve të dimrit gjallërohet tridimensionalisht në pranverë, merr jetë e “digjet” gjatë verës. Gushti është muaji ku “dashuria-dielli-deti” shpërfaqen me gjithë bujarinë për mijëra e mijëra pushues që e shumëfishojnë popullsinë e këtij qyteti Jonian.

Duket se vetëm pushohet dhe nuk punohet këtu. Por jo. Është veç iluzion që e krijon zhurmnaja e ditë-netëve, pasi kjo ushtri e stërmadhe turistësh nuk mund të qëndroj pa një prapavijë njerëzish në shërbim të tyre.

Të punësuarit në këtë industri janë me qindra, të ardhur edhe nga qytete të tjera, për shkak të kapaciteteve të pa mjaftueshme specialistësh që ka vet Saranda.

Ditet në qytet i ngjajnë pak a shumë njera- tjetrës. Amatoret e sportit te vrapimit, por dhe dhjetëra të tjerë me të moshuar, mes tyre shumë turistë, ngrihen herët dhe zbresin buzë detit.

Shëtitoja i ngjan një piste garuesish, të cilët largohen sapo rezet e para të diellit bien mbi det. Pastaj zbresin tregtarët e suvenireve që ngrejnë tezgat bri njëra- tjetrës, duke formuar kështu, një “ merkato” të stërgjatur në gjithë shëtitoren.

Të apasionuarit e shëtitjeve me skafe, imbarkohen në skafet- taksi, të pronontuara qysh në mbrëmje, dhe nisin rrugëtimin për të eksploruar dhe shijuar bukuritë e detit Jon.

Plazhet në disa kilometra gjatësi brenda harkut të qytetit, mbushen plot sapo dielli lëshon rrezet mbi qytet.Por jo vetëm. Plazhet me emra vendesh si “Bora Bora”, “Pasqyra”, “Manastiri”(pa përmendur plazhet ekzotik të ishujve të Ksamilit) dhe më tej në veri: “krorëza” me kampikun e vet, e dhjetëra “xhepa” rëre me ujë të kristalte përgjat bregut deri në Borsh e më tej, janë mikëpritësit e përditshëm të ushtrisë turistike.

Po nuk janë vetëm plazhet. Monumentet e shumta natyrore si “Pllakat”, “Syri i Kaltër”, “Gjiri i Kakomesë”, “Pylli i Butrintit”, pse jo dhe “kanali i Vivarit”, apo vendet historike: Butrinti e Amfiteatri i Finiqit, “Kisha e 40 shenjtorëve” , “Sinagoga”, muzetë dhe kalaja e Lekursit; të gjitha këto janë destinacione që mbushin jetën e përditshme të të gjithë atyre që përzgjedhin Sarandën si destinacion turistik.

Vet qyteti, Saranda, është një monument natyre, për të cilin polaku Kamil Benebek do përmendte një referencë për qytetin, lexuar në një shkrim, autori i të cilit thoshte: “…ëndërro Monakon, shijo Sarandën”, ç’ka e kishte bindur për aventurën e tij.

Dhe nuk janë të paktë vizitorë e gazetarë të huaj, që kanë shkruar dhe ia kanë dedikuar Zotit këtë bukuri të rallë të krijuar prej dorës së tij. Veçse nuk ka pse mohojmë edhe dorën e njeriut, që në këto dekada të fundit ka ndryshuar performancen arkitekturore, infrastrukturën dhe mentalitetin njerëzor, por që ende nuk është e mjaftueshme.

Nëse pushtetarët vendor dhe sidomos ata qëndror, do ta besonin sinqeritetin e propozimit të një gazetari francez, që shkruante se “duhet ende punë që dora e njeriut të ndërtojë të njëjtën infrastrukurë si në rivierën franceze….dhe, nëse kjo ndodh ky qytet bregdetar shqiptar do të qëndroje, ndoshta, edhe më lart se Monte Carlo…”, do ta vinin në prioritetet e zhvillimit turistik këtë qytet, që, pse mos ta themi, nuk është parë me këtë seriozitet këto vitet e fundit.” (Tema)