Më kërkesë të prokurorisë një 33-vjeçari me inicialet M.K. i janë sekuestruar 700 mijë euro pasuri, që përfshijnë; apartament, truall, ndërtesë dhe makinë. Sipas policisë operacioni “Invest” është finalizuar pas dyshimeve se pasuria është përfituar nga aktiviteti kriminal i pastrimit të parave.

Operacioni është konkluduar pas hetimit disa mujor nga prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me policinë dhe agjencitë e tjera. Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove.

Sipas prokurorisë po vijojnë hetimet dhe verifikimet, për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të 33-vjeçarit. Policia e Shtetit deklaron se është e vendosur për të gjurmuar, evidentuar dhe sekuestruar çdo pasuri a vlerë monetare, që rrjedh nga aktivitet kriminal.

Pasuritë e sekuestruara
-1 apartament me sipërfaqe 350 m2
-1 truall me sipërfaqe 5000 m2.
-1 ndërtesë 200 m2
-1 automjet

Ndërkohë që dje u sekuestrua pasuri me vlerën e 500 mijë eurove në emër të dy prej grabitësve të Rinasit, Klement dhe Eldi Çalës, vëllezër. Aksionet, apartamentet dhe truallet, në pronësi të dy vëllezërve që janë sekuestruar janë përfituar nga aktiviteti kriminal.