Kosova do ngarkojë ekspertë të huaj për të ekzaminuar zarfet me vota nga Serbia që një ditë më parë shtruan në spital disa punonjës të KQZ-së. Presidenti Hashim Thaçi deklaroi të hënën pas takimit me kryesuesit e komisionit të zgjedhjeve, kryeprokurorisë dhe shërbimit informativ se ngjarja duhet zbardhur plotësisht.

Një ditë pas rastit të helmimit të punëtorëve të KQZ-së, presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kreun e AKI-së, Shpend Maxhuni. Kreu i shtetit ftoi mediet dhe forcat politike të mos dalin në konkluzione pa përfunduar hetimet. Lajmin për helmimin e disa numëruesve u përhapën të dielën.

Dyshohet se ata ranë në kontakte me substanca kimike që ishin spërkatur në kutitë me mbi 3 mijë zarfe me vota të transportuara nga Serbia. Pas hapjes së tyre, mbi 20 persona nisën të shfaqin shenja të reaksioneve alergjike me skuqje dhe kruarje në fytyrë e duar. 11 punonjës u dërguan në klinikën infektive të Prishtinës dhe po u nënshtrohen analizave toksikologjike për të kuptuar shkakun e alergjisë. Kutitë nga Serbia janë një pjesë e vogël e mbi 15 mijë zarfeve që Kosova ka marrë nga diaspora me rastin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Duke komentuar ngjarjen të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i konsideroi shpikje pretendimet e helmimit të kutive nga pala serbe dhe ngriti pyetjen se pse asnjë qytetar serb në qendrën e votimit nuk shfaqi simptomat e pacientëve të tjerë. Ai tha se ka apeluar partnerët ndërkombëtarë të dënojnë veprimet e Kosovës që kanë për qëllim vetëm dëmtimin e partisë minoritare serbe në vend.