Në orët e para të mëngjesit të sotëm në qiellin e Shqipërisë u shfaq eklipsi i Super Hënës së “përgjakur”, quhet e tillë pasi gjatë këtij eklipsi, Hëna, sateliti i vetëm natyror që ka Toka, ndryshon nga e argjendtë (ose gri) në të kuqërremtë, për shkak të bllokimit të dritës së diellit nga hija e Tokës, kur Toka kalon mes Diellit dhe Hënës.

Eklipsi që mund të shikohej me sy të lirë filloi edhe ne Tirane me zhdukjen dalëngadalë të Hënës së plotë në orën 04:30 të mëngjesit duke arritur në pikën kulmore kur Hëna zhduket totalisht dhe merr një ngjyrë të zbehtë të kuqërremtë, kjo ndodhi në orën 05:40. Gjatë eklipsit të plotë Hëna u zhduk nga ora 05:40 deri në orën 06:10 ndërsa fenomeni përfundoi në orën 07:00 teksa sateliti ynë natyror u venit në horizont, në drejtimin perëndimor të vendit.

Eklipsi i plotë i Super Hënës për herë të fundit ndodhi në korrik 2018 por nuk u pa në të gjithë botën, ndërsa eklipsi i sotëm u pa në Europë, Azi, Afrikë, Amerikën Veriore (SHBA, Canada, Meksikë, etj) dhe atë Jugore (Brazil, Argjentinë, Kolumbi, etj) si dhe në Arktik. Fenomeni i parë i mahnitshëm natyror për këtë vit do të pasohet nga fenomene të tjera astronomike në muajt në vijim. Një tjetër eklipsi i Hënës, por që do të jetë pjesërisht i dukshëm në Shqipëri do të ndodh në 15 korrik të këtij viti si dhe në vitin 2022 (pjesërisht), por eklipsi i plotë i Super Hënës si ai që u shfaq sot do të ripërsëritet në vendin tonë vetëm pas 6 vitesh në Shtator të vitit 2025.

Si ndodhi eklipsi – Në 11 Nëntor 2019 do të ndodh transiti i Mërkurit përpara Diellit, planeti më i afërt pranë Diellit. Ky fenomen i rrallë ndodhi për herë të fundit para 3 vitesh dhe mund të shihet vetëm me pajisje të posaçme teksa planeti Mërkur do të duket si një pikë e vogël e zezë që kalon para Diellit.