Ish-kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se kryeministri Rama se po tenton të frikësojë qytetarët që të mos dalin në protesta për ta rrëzuar.

“Edi Rama ka si synim të frikësojë qytetarët që të mos i bashkohen rrugës dhe protestave që kemi zhvilluar për ta rrëzuar atë. Edi Rama duhet ta ketë parasysh se nuk ka manovër që e shpëton”, tha Spaho, duke iu referuar arrestimit të Klevis Balliut.

Më tej, ish-deputeti theksoi se Rama po burgos qytetarë që mbrojnë të shtëpitë dhe jetët e tyre.

“Rama po burgos njerëz që mbrojnë shtëpitë e tyre, jetën e tyre, fëmijët e tyre. Por ata po mbrojnë edhe pronën publike, pasi i kanë kursyer shtetit 40 milion euro që do i merrnin hajdutët.

Këta futen në burg kurse ata që do vidhnin 40 milion euro nuk dihet nga janë. Ka filluar vetëm hetim formal, por ata vazhdojnë të marrin tendera”, deklaroi Spaho.

Gjithashtu Spaho paralajmëroi kryeministrin Rama se nuk ka kthim pas dhe se do ta rrëzojnë me çdo kusht.

“Nuk ka kthim pas. Do ta rrëzojmë më çdo kusht dhe me çdo mjet. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor”, u shpreh Edmond Spaho.

Tani na mbetet të shohim vetëm kur do e rrëzojnë, pasi këto paralajmërime janë bërë të përditshme.

Madje shpesh kanë caktuar edhe ditën, por pa ia arritur kësaj gjëje.