Turqia mposhti Shqipërinë ditën e djeshme me rezultatin 1-0, duke hedhur kështu një hap të sigurt drejt kualifikimit për në Euro2020.

Shqipëria kishte raste të shumta shënimi, por nuk ia doli të marrë një rezultat pozitiv, kjo edhe për shkak të një gabimi të Strakoshës në minutat e fundit të ndeshjes, gabim nëpërmjet të cilit kundërshtarët morën fitoren.

Menjëherë pas shënimit të golit festuan me një përshëndetje ushtarake, një gjest ky për të mbështetur forcat e armatosura turke në veri të Sirisë. Megjithatë ky festim ka filluar të bëjë xhiron e botës, nëpërmjet të cilit Turqia rrezikon edhe një dënim.

Për këtë ka folur edhe kreu i zyrës së shtypit në Uefa, Filip Tounsend, i cili është shprehur se një veprim i tillë ndalohet nga rregullorja: “Personalisht nuk e kam parë atë gjest, i cili sidoqoftë mund të duket si një provokim. A e ndalon rregullorja këtë për referencat politike dhe fetare? Sigurisht që po, mund t’iu garantoj se do ta shqyrtojmë këtë situatë. Do të filloj ta kontrolloj.”, u shpreh Tounsend.