Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) mëngjesin e sotëm ka nisur shembjen e restorant ‘Panorma’ ndërtuar buzë detit në Porto Palermo, rezulton të jetë pa leje. E gjithë zona është rrethuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe punëtorët e IKMT dhe nga aty janë larguar edhe turistët e fundit që po pushonin në këtë zonë. Në mënyrë mekanike fadroma ka shembur fillimisht tabelën e këtij Restoranti, më pas ndërhyrë në verandën e objektit. Ndërkohë forca të shumta policie janë pranë objektit për të shmangur incidentet e mundshme nga familjarët e Mihal Kokëdhimës.

Ky restorant rezulton objekt pa leje dhe në proces legalizimi por tashmë, përfundimisht, është vendosur shembja e tij, pas skandalit ndërsa operacioni drejtohet nga drejtoresha e IKMT, Dallëndryshe Bici. Pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012 si objekt pa leje nga autoritetet, biznesi vijon të ushtrojë aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike.

IKMT ben me dije se “Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit”.

Restoranti i Mihal Kokëdhimës, vijonte punën edhe pse ishte pa leje, deri pas incidentit të ndodhur disa ditë më parë në Porto Palermo, ku Kokëdhima sulmoi familjen spanjolle që kishin ardhur të ushqeheshin në restorantin e tij. Mihal Kokëdhima për rreth 3 kilometra u ngjit mbi kofanon e makinës që po udhëtonin turistët spanjollë dhe i terrorizoi duke thyer xhamin dhe duke i ofenduar e gjithë kjo skenë vetëm pasi turistët spanjollë kishin mbetur të pakënaqur nga sjellja dhe shërbimi në restorantin pa leje të Kokëdhimës.

Ndërkohë pasi ka dhunuar familjen e miliarderit spanjoll Eugenio Galdón, dhe shoqëruesit shqiptarë, Mihal Kokëdhima është lënë nën masën ‘arrest me burg’.