Paulo Dybala e ka theksuar përkushtimin e tij ndaj Juventusit, përkundër që gjatë afatit kalimtar të verës kishte qenë afër largimit nga Torino.

Gjatë verës u bë e qartë se Juventusi dëshironte ta shesë sulmuesin argjentinas, duke ngjallur kështu interesim nga Manchester Unitedi dhe Tottenhami. Manchester Unitedi ishte afër ta arrinte një marrëveshje për shkëmbim me Romelu Lukakun, mirëpo kërkesat e argjentinasit e pamundësuan këtë marrëveshje, transmeton Gazeta Express.

Dybala është integruar sërish në skuadrën e Maurizio Sarrit dhe ai e ka ndihmuar Juventusin ta nisë fuqishëm sezonin e ri. Kampioni në fuqi italian është në pozitën e parë në tabelën e Serisë A dhe deri më tani s’ka pësuar disfatë.

Bardhezinjtë e mposhtën rivalin që më parë kishte qenë gjithashtu i pamposhtur, Interin, në “San Siro” të dielën. Dybala e shënoi një gol hapës brenda pesë minutash lojë, duke e goditur topin në qoshen e largët të portës dhe duke e mposhtur kështu portierin Samir Handanovic.

“Unë nuk e kam përjetuar një verë të lehtë. Natyrisht se kur e dëgjon emrin tënd të lidhur me çdo skuadër ku ti nuk dëshiron të shkosh nuk është diçka e mirë, por kështu e ka futbolli”, ka thënë Dybala për Tuttosport.

“Para se të hapej afati kalimtar, unë veçse e kisha bërë një intervistë në të cilën thashë se dua të qëndroj në Torino e pastaj nuk fola kurrë më sërish, as gjatë turneut të Kupës së Amerikës”.

“Mendoj se është më e rëndësishme të flasësh në fushë, me fakte. Ti kurrë nuk mund ta dish se si do të shkojë afati kalimtar deri në ditën e fundit. Por, unë dëshiroja të qëndroj këtu, unë dëshiroja ta vazhdoj karrierën këtu në Juventus. Unë mendoj se mund të jap shumë për këtë fanellë dhe jam shumë i lumtur me paraqitjen time kundër Juventusit”.