Nga Mero Baze

Tani kemi një adresë të saktë ku banon Lulzim Basha. Vila ku është strehuar ai, më parë ka qenë shtëpi e ambasadorit suedez në Tiranë, me një qira 3 mijë euro në muaj.

Pronarja e re me letra është një zonjë, që quhet M.V. Lulzim Basha nuk ka ende ndonjë kontratë qiraje me të. Këtë e konfirmon dhe zyra e tatimeve .

Pra, tani jemi në kushtet, që Lulzim Basha jeton në një shtëpi ku nuk është as pronar me letra, as qiraxhi me letra, por një i strehuar aty, së bashku me familjen e vjehrrit, që në kushte normale duhet të paguante 3 mijë euro në muaj.

Edhe pse ai vetë nuk dëshiron t’i bëjë publike këto detaje, nuk është e vështirë që ato të zbulohen në një rezidencë luksoze, ku janë gjithësej 86 familje dhe ku je i detyruar të paguash ujin, dritat dhe internetin vetë. Këtu tek interneti është detyruar të përdorë emrin real.

Tani dyshimet mbeten dy. Ose Lulzim Basha nuk e deklaron blerjen e vilës, duke e lënë në emër të zonjës M.V, dhe kjo shpjegon edhe pse nuk paguan qira, ose zonja në fjalë ka vendosur ta strehojë pa para, për arsye që duhen hetuar, nëse ka të tilla.

Dyshimi i parë, që është dhe më i besueshëm, është dhe më i rëndë. Nëse ky nuk do ta blejë vilën në emër të vet, për shkak të deklarimit të pasurisë, është në kushtet e pastra të fshehjes së pasurisë.

Një gjë të tillë e ka bërë me veturën e vet luksoze. Biznesmeni që ja ka blerë, ja ka dorëzuar që ditën e parë shoferit të tij, duke e mbajtur në emër të vet. Pastaj kur është bërë problem, pasi ky biznesmen po merrte tendera nga Bashkia e Tiranës, ja ka shitur veturën një biznesmeni tjetër makinash, por veturën ka vazhduar ta mbajë përsëri shoferi i Luzlim Bashës. Dhe e ka akoma.

Nëse dhe me vilën përdoret kjo skemë, duhet hetuar. D.m.th nga Papuli, vila kalon në pronësi të zonjës M.V dhe kjo strehon pa para Lulzim Bashën. Mos u çudisni që nesër, nga zoja M.V, prona të kalojë tek dikush tjetër, dhe përsëri aty të banojë Lulzim Basha, por pa qira.

Është tipike skemë e njerëzve që duan të na mbushin mendjen, se dikujt mbi këtë tokë i ka lindur në zemër t’u dhurojë këtyre vila dhe makina luksoze.

Versioni i dytë, që zonja në fjalë M.V ta ketë realisht vilën e saj dhe t’ia ofrojë Luzlim Bashës pa para, është një pistë që pastaj duhet hetuar me kujdes, për çdo konflikt të mundshëm interesi, që mund të ketë.

Edhe pse është e dyshimtë, që të lësh një apartament luksoz bosh, në një vend shumë të mirë, për të jetuar si “lypsar” tek një vilë luksoze, përsëri duhet marrë versioni që duhet detyruar të japë Lulzim Basha, dhe duhet hetuar deri në fund.

Deri tani ai ka gënjyer që ditën e parë. Përtej gënjeshtrave të tij, ne kemi çmontuar gënjeshtrën e arsyes së ikjes nga tërmeti, kemi çmontuar arsyen e shpikur prej tij, që nuk ka marrë vilë tek Agron Papuli, por tani kemi në dorë dhe një fakt që na çon direk tek emri i tij.

Kontrata e shërbimit me Albtelekomin për tek kjo vilë është lidhur ne emër të tij dhe është më afatgjatë se sa pretendon të lyejë apartamentin e dëmtuar nga tërmeti.

Tani dimë që Lulzim Basha banon në vilën që ka pronar me letra zonjën M.V dhe që nuk ka as kontratë blerje, as kontratë qiraje. Ka vetëm kontratë interneti. Dhe falë Zotit, këtë më duket e ka paguar vetë.

Të tjerat duhen hetuar si dhurata që e kanë “detyruar” të iki nga një apartament luksoz, dhe të shkojë të vuajë aty.