Më datën 4 dhjetor, volejbolli shqiptar do t’i rikthehet parketit në arenën ndërkombëtare. Pas eliminimit nga turneu i Champions League, skuadra e Partizanit në volejboll për femra do të luajë ditën e mërkurë ndaj spanjolleve të Sanaya Libby’s La Laguna, ndeshje e vlefshme për Kupën CEV.

Ndeshja e parë do të luhet më 4 dhjetor në Tenerife (ora 20:00), ndërsa takimi i kthimit pas një jave në Tiranë. Në këtë ndeshje, Partizani do të luajë vetëm me lojtare nga Shqipëria (9 vajza kanë udhëtuar me trajnerin Ilir Thanasi), pasi të gjitha volejbollistet e huaja janë larguar pas eliminimit nga Champions (gjithashtu edhe trajneri turk).

Po më 4 dhjetor do të luhet edhe takimi i kthimit të turneut të Challenge Cup mes Erzenit dhe Partizanit (shijakasit kanë fituar 3-0 ndeshjen e parë në kryeqytet). Ky takim i dytë ishte planifikuar të luhej mesjavën e kaluar, por u shty për shkak të tërmetit. Ndeshja do të luhet në mjediset e Akademisë Goga dhe do të gjykohet nga dy gjyqtarë shqiptarë: Igli Feshti dhe Arjan Shehu.