Të gjitha palët pranojnë që ringritja e Gjykatës Kushtetuese (GJK) duhet bërë një orë e më parë si një nga kushtet në krye të listës me 9 pika të Bundestagut gjerman për vijimin e reformave në Shqipëri. Por mjaftoi këto ditë plotësimi i kontestuar i 3 vendeve vakante të anëtarëve të kësaj Gjykate, që kriza institucionale dhe politike të thellohet aq shumë sa të harrohet rëndësia e ngritjes sa më parë të GJK. Fjala është për një përplasje të re të Presidentit Meta me Drejtësinë dhe rikthimin e rezolutave të Parlamentit që bëjnë “nul” dekretet e Presidentit Meta për shkelje kushtetuese.

Parlamenti miratoi, në një seancë të jashtëzakonshme të premten, (15.11.2019) një rezolutë që bëri të pavlefshëm dekretimin e Marsida Xhaferllarit, anëtare e GJK nga Presidenti Meta. Sipas rezolutës “emërimi i saj është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.”

Të parën apo të fundit në listë?

Çfarë nuk është në rregull për maxhorancën socialiste me Marsida Xhaferllarin? Ajo rezulton të jetë e fundit në një listë prej 4 kandidatesh, që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ( KED) i vuri në dispozicion Presidentit Meta si edhe me rekorde korrupsioni.

Kushtetuta parashikon që 3 anëtarë të GJK i dekreton Presidenti, 3 i zgjedh Parlamenti dhe 3 vijnë nga Gjykata e Lartë, gjithmonë nga kandidatë që i selekton KED. Nga lista prej 4 kandidatësh Presidenti duhet të zgjidhte vetëm një, të parën në listë, me vlerësimin më të lartë, Arta Vorpsin. Por Meta nuk e dekretoi atë deri në skadimin e afatit kohor të parashikuar në Kushtetutë. Pas mosdekretimit të saj nga Meta, Arta Vorpsi, u emërua automatikisht nga Parlamenti, anëtare e Gjykatës së Lartë, në zbatim të ligjit përkatës si e para në listë. Por të premten Gjykata Kushtetuese në një njoftim zyrtar nuk e konsideroi Arta Vorpsin anëtare, ngaqë Presidenti Meta nuk e thirri për të bërë betimin si thirri Marsida Xhaferllarin dhe dy anëtare të tjera të zgjedhura nga Parlamenti.

Presidenti Meta e quajti të premnten qeverinë dhe maxhorancën socialiste një “bandë uzurpatore që do të kapë Gjykatën Kushtetuese dhe gjithë sistemin e drejtësisë”. Meta paralajmëroi maxhorancën socialiste dhe qeverinë Rama, se ”përpjekjet e tyre për të dhunuar kushtetutën do të dështojnë”, se “mund të shpërndajë Parlamentin me një dekret presidencial”, “të rrëzojë qeverinë Rama me një mocion mosbesimi”, dhe se “atë vetë mund ta shkarkojë vetëm Gjykata Kushtetuese”.

Cilat janë rrënjët e thellimit aktual të krizës?

Presidenti Meta është në konflikt interesi pikërisht me Gjykatën Kushtetuese. Ditën që ajo do të plotësohet me 9 anëtarë, ata do të marrin vendimin për shkarkimin ose përfundimin e mandatit presidencial. Prof. Afrim Krasniqi, Drejtues i Institutit për Studime Politike mendon se rrënjët e krizës nuk janë thjesht tek konflikti i interesit të Metës me GJK. “Hendeku i thellë ndarës në marrëdhëniet mes institucioneve ka potencial të prodhojë kriza të njëjta dhe të tjera në të ardhmen. Nuk ka dialog dhe as komunikim midis institucioneve, por përdorim të mjeteve populiste dhe institucioneve për axhenda politike. Kërcënimet reciproke për shkarkim janë pjesë e konfliktit politik ditor dhe retorikë konsumi. Presidenti nuk mund ta rrrëzojë qeverinë Rama me mocion mosbesimi. As Parlamenti nuk mund ta shkarkojë Presidentin Meta. Në secilin rast do të kishim të bënim me thellim të mëtejshëm të konfliktit dhe me vendim-marrje finale të Gjykatës Kushtetuese”, thotë për DW, Afrim Krasniqi.

Përplasja – produkt i mendësisë së lidershipit politik

Aleksandër Çipa, analist i pavarur politik në Tiranë, thotë se “arsyet e përplasjes aktuale janë krejt të pastra politike”. “Kjo përplasje është produkt i mentalitetit të lidershipit politik të vendit me kosto të rëndë institucionale dhe mbi krejt sistemin. Ajo ka për autorë dhe protagonistë politikë-bërësit që sundojnë gjatë skenën politike dhe vendin në tërësi. Kemi të bëjmë me interesa të aktorëve të rrezikshëm të kësaj politike, të individëve të zgjedhur apo të emëruar në sistemin e drejtësisë që po pengohet në çdo segment të rimontimit të tij. Sunduesit politikë në vend e kanë përplasjen për llogari rikapëse të sistemit të ri të drejtësisë, që po na krijon përshtypjen se po montohet duke u çmontuar” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Reforma në drejtësi – do të zbatohet nga SHBA dhe BE

Por në fakt reforma në drejtësi ka ecur edhe pse është penguar dhe zvarritur nga ata politikanë që i tremben drejtësisë. Shifrat zyrtare flasin për nxjerrjen jashtë sistemit të drejtësisë të rreth 60% të gjykatësve, 80 % të anëtarëve të GJK kryesisht për korrupsion dhe mos justifikim të pasurisë, gjë që ka sjellë vështirësi në plotësimin e vendeve vakante me gjykatës që kanë kaluar vettingun, si një pasojë e pashmangshme e reformës. Kryeministri Rama tha të premten, se “ҫdo hap lidhur me reformën e drejtësise bëhet i dakortësuar me SHBA dhe BE”.

“Ne jemi detyruar të ndjekim vijën e drejtë që kemi përcaktuar së bashku me aleatët tanë strategjikë. Për sa kohë, SHBA dhe BE zyrtarisht, publikisht, kanë mbështetur çdo lëvizje që ne kemi bërë, kushdo që do të kuptojë, kupton që në këtë proces, ne as jemi vetëm dhe as marrim përsipër të vetëm të bëjmë reagimet tona. Reagimet tona janë të gjitha të koordinuara, pasi kemi dëgjuar dhe dëgjojmë me shumë vëmendje, ata, me të cilët e kemi bërë Reformën në Drejtësi dhe me ata, të cilët do ta zbatojmë Reformën në Drejtësi”. /DW/